Prokurorja Katica Janeva ka njoftuar se Prokuroria Speciale Publike ka nisur hetimet për krim financiar në disa vende evropiane, në lidhje me projektin ‘’Shkupi 2014’’. Në këtë ndërmarrje prokuroria speciale do të ndihmohet nga ambasada holandeze. Përveç hetimit për krim financiar në Itali, Janeva përmendi Greqinë, Çekinë, Britaninë e Madhe dhe Holandën si vendet të mundëshme, ku kanë përfunduar paratë e lara nga ky projekt.
‘’Prokuroria Speciale Publike është e fokusuar në hetime financiare dhe zbulim se ku janë mbaruar paratë. Po kërkojmë ku janë paratë, ku kanë shkuar dhe nëse janë ende në Maqedoni. ‘’ deklaroi prokurorja Janeva duke paraljmëruar që së shpejti do të dalin me vendim, raporton Almakos.
E pyetur nëse ndjehen duarlidhur në hetime, pasi që PSP-së i ka skaduar mandati, Janeva tha se çdo ditë kërkojnë mënyra të reja që t’i kryejnë hetimet pa pengesa.
“Çdo ditë po kërkojmë mënyra të reja që më lehtë ti realizojmë hetimet tona financiare pasi që janë në numër të madhë. “, tha Janeva.
Janeva përmendi ambasadën dhe prokurorinë Holandeze, si dy nga mbështetësit më të rëndësishëm financiar në forcimin e kapaciteteve të PSP-së për t’i kryer këto hetime./Almakos.com
Arbnora Memeti