Me nderime më të larta shtetërore, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi priti në takim homologun e tij kroat, Gordan Jandrokoviq. Në fjalimin para deputetëve në Kuvend, Jandrokoviq i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të vazhdojë rrugën eurointegruese dhe të mos heqë dorë, pavarësisht pengesave të shumta që ka hasur në këtë drejtim.
“Pesë vite pas vendimit të KE-së, negociatat inkuadruese me BE-në ende nuk janë të hapura formalisht, kjo nuk është korrekte. Duke pasur parasysh këtë, e kuptueshme është edhe padurimi dhe pakënaqësia e qytetarëve tuaj që mund të del nga një situatë e tillë. Kroacia mbështet të gjitha arritjet tuaja të deritanishme dhe konsideron se keni merituar përparim shumë më të mirë. Besoj se do të gjeni zgjidhje që të bëni një hap të ri në rrugën tuaj evropiane. Si partner i juaj i dëshmuar në këtë rrugë dhe si shtet i cili gjithashtu ka kaluar përmes një procesi të vështirë, u bëjmë thirrje të mos hiqni dorë”, tha Gordan Jadronkoviq – Kryetar i Kuvendit të Kroacisë.
Ndërkohë kryeparlamentari Afrim Gashi, tha se duhet vazhduar me reformat që kërkohen nga Brukseli.
“Asgjë nuk na ka lëkundur dhe as na ka devijuar nga vendosmëria dhe prioriteti ynë për integrim në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë, reforma për të zbatuar dhe çështje për të zgjidhur. Por me aleatë si Kroacia dhe miq të tjerë të Bashkimit Evropian, besojmë fuqishëm se ky proces do të jetë i suksesshëm edhe për ne, ashtu siç ishte për Kroacinë”, deklaroi Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.
Për të realizuar këto reforma, Gashi tha se Kroacia mund të jetë shembulli më i mirë. Rikujtoi se dy vendet në të njëjtën kohë nënshkruan marrëveshjen për stabilizim dhe asociim me BE-në, por Kroacia tanimë 12 vite është anëtare e plotë ndërsa Maqedonia e Veriut ka ngecur. /Alsat.mk