Gjashtë vite pasi ish-Prokuroria Publike Speciale e hapi rastin “Titaniku” për shoqërim kriminal dhe mashtrime zgjedhore, një pjesë e të akuzuarve pranuan fajin. Ish-ministrat Mile Janakieski dhe Gordana Jankulloska, si dhe Martin Protogjer, shef i kabinetit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski u deklaruan si fajtorë. Mes tyre ishte edhe ish-zëvendësministrja e Drejtësisë Biljana Brishkovska-Boshkovska.
Jankulloska para gjykatës tha se e pranon fajin lidhur me pretendimet në aktakuzë, por shtoi se procedura për këtë lëndë nuk duhej të udhëhiqej për shkak të faljes nga ish-Presidenti Gjorge Ivanov.
“Me pranimin e fajit lidhur me këtë aktakuzë, dua të dërgoj mesazh se secili që ka pranuar të ushtrojë funksion publik, shtetëror apo politik, duhet të jetë i gatshëm të përballet me pasojat e vendimeve në të cilat ka marrë pjesë. Edhe gjatë ushtrimit të funksionit tim, edhe tani si ish-funksionare as nuk kam ikur, e as nuk do të ik nga përgjegjësia”, tha Jankulloska.
Edhe Janakieski tha se e pranon fajin për një pjesë të veprave penale për të cilat ngarkohet, por edhe ai pajtohet me qëndrimin e Jankulloskës – se “Titaniku” nuk duhej të udhëhiqej për shkak të faljes nga Ivanovi.
“Këtë e bëra sepse para së gjithash ndjeja përgjegjësi morale, prandaj kërkova falje për të gjitha ato momente të pakëndshme në “bombat” pa marrë parasysh se edhe atje isha viktimë sepse jam përgjuar bashkë me bashkëshorten time. Por, konsideroj se duhet të bëj këtë hap që në një farë mënyrë të kontribuoj në drejtim të përmirësimit të gjendjes në shoqëri”, tha Janakieski.
Martin Protogjer tha se merr përsipër përgjegjësi si akt moral dhe se na ky aspekt e pranon fajin.
Pasi e pranuan fajin, prokurorja Lile Stefanova kërkoi nga Gjykata dënime me kusht dhe masa lehtësuese ndaj këtyre të akuzuarve. Për Protogjerin thotë se është baba i tre fëmijëve, i papunësuar, në gjendje të përkeqësuar shëndetësore dhe se dënimi i tij duhet të reduktohet ose t’i shqiptohet dënim me kusht. Stefanova kërkoi ulje të dënimeve edhe për Jankulloskën, Janakieskin dhe Boshkovskën. Gjykimi për Nikolla Gruevskin, Ilija Dimovskin, Kirill Bozhinovskin dhe të tjerët të cilët nuk ndjejnë faj, vazhdon më 9 mars. Ish-kryeministri u prononcua nga Budapesti, ku tashmë disa vite është në arrati.
“Pas betejës shumëvjeçare dhe dëshmimit të drejtësisë, përmes një procesi të ofrimit të një “tregu” nga Prokuroria, ata po i shkaktojnë dëm vetes dhe potencialisht të tjerëve, kurse në ndërkohë besojnë se do të shmangin dëme më të madha, do të poshtërohen dhe do të detyrojnë veten të pranojnë fajin që nuk e kanë. Fajin që nuk ekziston!”, shkroi Gruevski.
Seanca për shqiptim të aktvendimi për një pjesë të të akuzuarve në rastin “Titaniku” të cilët pranuan faj është caktuar për më 28 shkurt. Ata dyshohen për shoqërim kriminal, shkelje të së drejtës vote, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të fondeve për financim të fushatës zgjedhore.