Mbrëmja e djeshme ishte magjike për Interin e Simone Inzagit, që arriti të siguronte finalen e Champions-it, duke eliminuar Barcelonën pas triumfit 4 me 3 në “San Siro”. Në lidhje me këtë përballje foli edhe tekniku italian i zikaltërve, i cili pas ndeshjes ndër të tjera u shpreh:
“Urime për Barcelonën sepse janë një ekip vërtet i fortë. Duhet t’i duartrokas djemtë e mi që midis ndeshjes së parë dhe asaj të dytë dhanë dy paraqitje sensacionale. Jam krenar që jam trajneri i tyre, ata më dhanë gjithçka dhe madje edhe ata që erdhën nga stoli na lejuan të ruanim nivelin e lartë.
Shfrytëzova ndryshimet për të vazhduar të besoja dhe për të provuar të kufizoja një ekip që ishte i vështirë për t’u ndaluar. Patëm disa probleme, por me zemër kapërcyem çdo pengesë. Ne luajtëm me cilësitë tona, të cilat i kemi. E njihnim Barcelonën dhe ishim të qartë se çfarë të bënim në fushë, por pa sakrificën e të gjithëve nuk ishte e mundur të bënim të gjitha këto. Ne kurrë nuk ishim mendjemëdhenj.
Është folur shumë për Jamalin, por më bëri shumë përshtypje edhe De Jong, i cili është gjithmonë i pozicionuar mirë dhe është gjithmonë i pranishëm në topat e dytë. Kam parë shumë lojtarë të fortë, por përveç Jamalit, për të cilin konfirmoj se është në një nivel tjetër, duhet ta nënvizoj De Jongun”, përfundoi Inzaghi.