Ideja është që zgjidhja ligjore të jetë gati deri në qershor.
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov do të caktojë takimin e parë të grupit të sapoformuar të punës.
Të premten, Kuvendi i Maqedonisë e ka dërguar listën tek Ministria e Drejtësisë me përfaqësues të nominuar nga partitë parlamentare dhe deputetë të pavarur, që do të marrin pjesë në grupin e punës për kodin e ri zgjedhor. Pritet të thirret seanca konstituive në të cilën duhet të caktohet mënyra e punës.
Lista e përfaqësuesve të propozuar të partive është tashmë para Ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe pret që ai të caktojë takimin e parë.
Nga VMRO-DPMNE, grupi i punës do të përfshijë deputetët Antonijo Miloshoski dhe Ivanka Vasilevska, nga ZNAM Pavle Arsoski dhe Daniel Stojçevski, dhe nga VLEN-i, Saranda Imeri dhe Zeqirija Tairi.
Nga LSDM-ja opozitare, në trupin punues për Kodin Zgjedhor, do të marrin pjesë koordinatori Oliver Spasovski dhe Jovana Trençevska, nga BDI-ja, Arta Biljali Zendeli dhe Blerim Bexheti, ndërsa nga “Levica” Borislav Krmov dhe Rexhep Ismail. Nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Zijadin Sela, përfaqësues do të jenë deputetët Ilire Dauti dhe Elmi Aziri, dhe nga krahu i Arben Taravarit deputetët Rijad Shaqiri dhe Halil Snopce, ndërsa nga Partia e Turqve deputeti Bejcan Ilyas.
Nuk është e sigurt se kush do të jetë kryetar i grupit punues. Kohët e fundit, Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi shprehu interes për të drejtuar Trupin punues, siç tha ai, me qëllim të përshpejtimin e punës, por nuk përjashtohet që në atë pozicion të zgjidhet edhe një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.
Me këtë, deputetët do të duhet të fillojnë punën për kodin e ri zgjedhor.
Në takimin e liderëve te kryeministri Hristijan Mickoski, u ra dakord që një kod i ri zgjedhor është i nevojshëm dhe duhet të jetë gati deri në qershor.
Kodi zgjedhor është gjithashtu pjesë e Aghendës së Reformës.
Në takimin e fundit të koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe Ministrit të Drejtësisë, u arrit në përfundimin se nëse deputetët vendosin, më shumë se një e treta e Kodit Zgjedhor do të ndryshohet. Në këtë rast, do të duhet të përgatitet një zgjidhje e re ligjore, përndryshe do të ndryshohet ajo ekzistuese. (plusinfo)


