Shkruan: Amela Temja
U bënë ca muaj që jetoj në Shkup, dhe të them të drejtën për dikë që nuk e ka njohur më parë si vend dhe si kulturë nuk mund të kisha pasur fat më të mirë për ta njohur nga afër sesa të jem çdo ditë në ndërveprim me njerëzit e këtij qyteti por jo vetëm, dhe pikërisht në vendin e librit. Shpesh përmbahem që disa situata dhe biseda të mos i komentoj e aq më tepër t’i ndaj me të tjerët, por pikërisht sot vendosa të rreshtoj disa fjalë për disa çështje në lidhje me këto eksperienca.
Pikë së pari, paragjykimi i dialektit është ajka. Po, jam shkodrane, me një dialekt të përzierë që anon nga të gjitha format e mundshme të gegnishtes përveç të asaj që e quajnë “Gjuha Letrare Shqipe” e Shqipërisë. Ndërkohë që marr komente të llojit “Duhet të të vijë marre se shqiptarët e Shqipërisë nuk flasin ‘kosovarshe’, si moj e lëjon vetën të flasësh si këto të prapambeturit e Shkupit që s’kanë shkollë dhe që nuk dinë t’i lidhin dy fjalë bashkë dhe etj etj, në mendje më tingëllon shumë shijshëm fjalia “Gegnishtja asht aq e bukur sa m’bahet rrasë me shpirtin” e n’vend “asht” kisha mujt me shkru është/osht apo m’bëhet/m’bohet sipas atyre që dialekti im i pengon, por në radhë të parë duhet t’iu vijë marre që e quajnë gjuhën shqipe kosovarshe apo gjuhë e gërrditshme kjo e Shkupit dhe që faktikisht nuk janë gjuhë të huaja por forma të gjuhës shqipe. Hej, zgjohuni pak!! Kulmi është që njerëzit që kanë guximin dhe fytyrë “mem fye dialektin” përdorin në fund të fjalisë fjalët “ani” dhe “bre”. Pyes vetën në cilën pjesë të “Gjuhës Letrare Shqipe” të Shqipërisë janë standartizuar këto fjalë, meqe janë të gërrditshme? “Ku ke pa bre ti shqiptari me ta kthye ‘nauk, ene taj’, paj m’vjen me i thanë ku ke pa ti shqiptari me fye shqiptarin për të njejtën gjuhë? Por prapë, heshti se na t’dialektit gegë s’jena shqiptarë të qytetëruem, jena si “kafshë, njerëz mali, të randë”. A mue, edhe njiherë ma shumë gegnishtja m’bahet rrasë me shpirtin kur i ndëgjoj tuj e sha. Se ne, si popull aq iu kemi dhënë shkelmin problemeve elementare dhe më parimore për popullin tonë saqë nga mungesa e punës mirremi me dialektet se cili është më i mirë.
Shkupi më ngjan me një humnerë që nuk e ka mesin, ose i shihet fundi i errët ose vetëm ia di fillimin ku mund t’i dalësh qiellit përpara. Shkupi siç duket jeton veç me ekstreme, nuk e njeh nocionin e njëriut me mendim praktik dhe mesatar. Ura e Gurit siç e kanë prezantuar ose ma kanë përshkruar vërtetë i ndan dy etnitë, maqedonase dhe atë shqiptare por asnjëri prej tyre nuk i përmend “urat e hekurta, jo të gurit” që i ndan shqiptarët ndër vete. Shqiptari gjithmonë ka qënë i etur të dijë se ç’ndodh në oborrin e komshisë por nuk ka dashur t’ia di për oborrin e vet. E Shkupi këtë e tregon shumë qartë, jo se kjo nuk ndodh në trevat e tjera, por Shkupi dëshiron të zërë vendin e parë në konkurrencën mes motrave e vëllezërve. Tani pak më shumë të ndalemi te pika e dytë, shpesh herë e dëgjoj “Shkupjanët e vërtetë” na qënkan turq. Përsonalisht e dua gjuhën turke dhe për nga ana kulturore e vlerësoj por të mohosh identitetin kaq hapur vetëm pse je turqisht-folës dhe me rrënjë shqiptare, është më e rëndë sesa dialekti im i përzierë. Përndryshe, dialektin do e përdor si metaforë, jo se e kam marrë shumë përzemër ndryshimin e dialektit tim, vazhdoj t’mendoj se genishtja t’knaq kur e ndëgjon. Më pas në një version tjetër debati dëgjon ankesat se turqit ua kanë “zaptuar” pra marrë/pushtuar Çarshinë e Vjetër se në Çarshi më veç qebaba dhe çajtore mund të gjesh. Po mirë ju shqiptarët me rrënjë që dini vetëm të ankoheni pse po iu jepni kaq shumë hapësirë zhvillimit të një kulture tjetër dhe tuajën e lejoni të shuhet në errësirë? Ato me armë nuk erdhën dhe nuk po vijnë t’ua marrin Çarshinë, mos vallë po e jepni? Pra po flasim me dy ekstreme, të turqizuarit dhe patriotët e zjarrtë, këto që mbasdreke i përshëndesin komshinjtë e tyre me “merhaba”, se di a duhet të vlerësoj tolerancen e kulturës a injorancën
e argumenteve që japin kur nuk iu levërdis dhe thonë që “turqit” ua kanë pushtuar Çarshinë. E Çarshia në vend se të ishte një fushëbeteje paqeje të ngjan ndonjëherë me ato fushëbetejat e luftës 25-vjeçare të Skënderbeut kundër ushtrisë Osmane. Po, ju fillimisht meqë doni të bëheni patriotë pse s’po e thërrisni Gjergj Kastrioti po nejse, s’është aq me rëndësi apo jo? Me rëndësi për juve ka mbrojt kombin prej Osmanëve, edhe nuk ia ka shit Vatikanit. Përndryshe t’Shkupit Skënderbeun, m’falni Gjergj Kastriotin me kalë e kanë dhe pikë takimi. “Ku po shihemi? Qe te Skendërbeu. “ Një ndër vendet e para që pata mësuar dhe unë kur erdha.
Si shkodranja e Nobelit më rastis/bie të flas, të takohem, të njoh shumë njerëz dhe secili prej tyre është një pasqyrë e pastër e këtij realiteti. Janë të shumtë ata qëmenjëherë pasi prezantohen fillojnë të shajnë Shkupin, ndoshta më duhet ta theksoj flasin për pjesën ku ndodhen shqiptarët e Shkupit. “A t’ka ra mori me ec ka ana e maqedonve, si nuk e pave bre nji bërrllog, nji letër n’tokë? A kqyri shqiptarët qysh e kanë ba vendin. Po ne s’kemi qeveri, dijnë vetëm të marrin për vete. Qe mo, na kanë ZAPTU edhe tuqit .” Më vjen t’iu përplas prapë në fytyrë që “ ti bre je ai shqiptari që pasi kalon urën e Gurit e hedh bërrllogun (plehrat) në kosh a kur shkel në Çarshi e hedh në tokë. E kjo nuk është punë e qeveritarit por e mentalitetit të shqiptarit. Ti je edhe ai shqiptari që e ndjen vetën superior kundrejt atij shqiptarit të Gazibabës, Haraqinës apo Hasanbej-it, apo mos duhet edhe këtë çështje të vijë të ta rregullojë maqedonasi/ja? Mos më keqkuptoni për këto zona, përsonalisht nuk kam asgjë kundër po të tilla prototipe zonash janë të formuara në Shkup, mendoj që në shumë vende tjera po ashtu.
Vijmë te një pikë e zjarrtë, ajo që ua nxjerr barkun e shpirtin shqiptarëve sidomos të Shkupit, feja. Shqiptari mesatar në Maqedoni o beson o s’beson fare. Ju thashë nuk e njohin mesin vetëm ekstremin. Prapë njëra palë është e vetëquajtur patriote, dyshoj nëse me të vërtetë e njohin këtë nocion sepse sipas tyre ata që besojnë dhe konkretisht fenë Islame që është dominuese janë të Lindjes, më saktësisht të Turqisë dhe tradhëtarë edhe pushtues, thua ti Turqia ësht baza e Islamit në botë. Por edhe mes atyre që besojnë nuk e pashë, njoha dikë që nuk kalon krejtësisht në ekstrem. Ndërsa për ata që ky lloj besimi dhe praktikimi i shumtë i pengon zhvillimin e shoqërisë fajin e gjejnë të “ekstemistët” që gratë i veshin me të zeza prej te këmbët gjer te sytë, ose që janë ndërtuar shumë xhami, për të mos përmenduar opinionet e tipit “ Të përshëndesin me selam alejkum, ku ka parë shqiptari të përshëndesë vllau vllanë me selam, si turqit?” Nuk dua të komentoj fare dmth për këtë pjesë, dua të mendoj se vjen nga padija jo nga vetëdija. Nuk bën të jesh një njëri praktik dhe mesatar në mendime, në sjellje dhe veprime . Ç’ka më duket absurde është ideja e ushqyer ndër breza që feja i ka lënë të prapambetur, duke krijuar kështu një imazh tejet negativ të këtij besimi fetar. Por e vërteta është se fenë kanë dashur ta përcjellin me të tilla tone të padijes dhe mosqytetërimit. E thënë shkurt, si i ka levërdisur “hoxhallarëve”. Nga jashtë por dhe brenda për të tilla arsye Shkupi shpesh shihet si një vend ku “tradicionalja” vazhdon të drejtojë jetën e komuniteteve dhe shoqërisë.
Më lëjoni të tregoj edhe diçka përpara se komentetet me kanotacion negativ , që erdhi kjo edhe po na e shan Shkupin, thue ti prej ka ka ardhur të formohen në mendje. Pikë së pari as Shqipëria as Kosova nuk janë në lulëzimin e tyre dhe në kulmin e qytetërimit. Por, në parantezë do dëshiroja të theksoja që Shkupin e kam parë dhe konsideruar gjithmonë si zemra e Ballkanit dhe e shqiptarëve, një qytet që mund të ofrojë shumë edhe per nga e kaluara historike, për kulturën, për vendet e bukura, praninë dhe bashkëjetesën mes grupeve etnike të ndryshme. S’është e nevojshme të bëhemi “has” shqiptarë, që në vend se të tregojmë sa fëmijë i kemi edukuar e diplomuar tregojmë sa zënka ka pasur e sa grushta ka dhënë, sa atentate e trimëri armësh janë bërë. Edhe për Shkupin e njejta gjë, duke i lënë menjanë të bëmat e shqiptarëve që nuk sjellin asnjë dobi ka shumë gjëra të tjera të mira për t’i ofruar të sapo ardhurve por jo vetëm. Shkupin e due, ka diçka t’veçantë që s’di me ta dhanë çdo qytet, ka diçka që t’fle zemra n’to. Përndryshe, këto janë të gjitha bashkëbisedime të bëra gjatë ditëve të ndryshme tek Nobeli, prej aty ku Shkupi më sjell copëzat e veta të cilat po i ndaj me ju.