Në zemër të Çairit, aty ku historia takohet me të ardhmen, u zhvillua turneu i madh i Counter Strike 2, një aktivitet që mblodhi të rinj të pasionuar pas sporteve elektronike. Ngjarja u organizua pranë shtatores së Skënderbeut, duke dëshmuar se Çairi nuk është vetëm vend i traditës, por edhe i zhvillimeve moderne dhe teknologjike.
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se ky turne nuk është vetëm argëtim, por edhe hap drejt krijimit të klubit të parë të sporteve elektronike në Çair.
“Rinia e Çairit është pasuri dhe frymëzim. Çairi është diamant. Kjo iniciativë do t’i japë mundësi të rinjve tonë që të shfaqen fuqishëm edhe në arenën botërore”, tha Mexhiti.
Sportet elektronike sot janë më shumë se një hobi, ato janë profesion, garë dhe pasion global. Të rinjtë e Çairit po tregojnë se janë gati të konkurrojnë me më të mirët në botë, dhe për këtë, Mexhiti premton mbështetje të plotë nga Komuna.
“Ne jemi afër rinisë, sepse jemi me rininë”, shtoi Mexhiti, duke premtuar se Çairi do të bëhet pikë referimi për të gjithë adhuruesit e këtij sporti.
Ky turne është vetëm fillimi i një rruge të re për rininë e Çairit, e cila me energji dhe kreativitet po ndërton një komunë moderne, më të fuqishme dhe më inovative.