Ndërtimi i Kampusit Universitar “Nënë Tereza” dhe parkingut nëntokësor në Sheshin Skënderbeu po bëhen realitet. Për këto projekte madhore janë siguruar 65 milionë euro nga buxheti shtetëror, ka njoftuar Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. Sipas tij, realizimi i këtyre projekteve do të fillojë shumë shpejt.
“Gjithçka është gati për nisjen e tyre. Këto investime do të sjellin përfitime afatgjata për studentët, qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të Shkupit.
Në këtë frymë, sot zhvillova një takim të rëndësishëm me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikollovski, drejtorin e Inspektoratit të Ndërtimit dhe përfaqësues të Komunës së Çairit, ku u dakorduam për hapat konkretë që sigurojnë fillimin e menjëhershëm të këtyre projekteve.
Këto investime vendosin themele të reja për modernizimin urban dhe arsimor të qytetit tonë, duke shënuar një moment kyç për zhvillimin strategjik të Shkupit. Me këtë angazhim, hapim një fazë të re, ku vizioni për një qytet funksional, inovativ dhe zhvillimor po kthehet në realitet.
Falë koordinimit ndërinstitucional dhe përkushtimit të përbashkët, shumë shpejt do të fillojë zbatimi në terren i këtyre projekteve me rëndësi kombëtare dhe strategjike.
Ne i mbajmë premtimet dhe e kthejmë vizionin në realitet!”, ka shkruar Mexhiti.