“Me çfarë besueshmërie do të monitorojë KSHPK zgjedhjet lokale dhe do të kontrollojë zyrtarët?” – pyet ish-kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit Biljana Ivanovska, pas skandalit me komisioneren aktuale të parë kundër korrupsionit Biljana Dimitrovska, e cila dyshohet se ka zbuluar sekrete zyrtare, transmeton Portalb.mk.
Në një intervistë për televizionin “24“, ajo pohon se kuvendi mund ta shkarkojë Tatjana Dimitrovskën, por sipas saj, padyshim që ka një arsye pse nuk e bën këtë. Ivanovska paralajmëron se para zgjedhjeve lokale, KSHPK duhet absolutisht të ketë besueshmëri që të funksionojë. Ajo pret që skandali me Dimitrovskën të përfshihet në raportin e KE-së mbi progresin e vendit drejt BE-së.
“Në mungesë të normave etike që janë busulla morale e një shoqërie të shëndetshme, ne shohim se çfarë po ndodh. Mënyra se si sillet ajo është çështje e moralit dhe etikës së saj – të gjithë kanë mundësinë të tregojnë se kush është dhe çfarë është. Pse institucionet e tjera nuk po veprojnë – kjo është një pyetje e madhe dhe unë supozoj se ata kanë një arsye pse nuk po veprojnë dhe ne do ta zbulojmë pas një kohe. Pse anëtarët e tjerë janë kaq të qetë, pse nuk po paraqesin një iniciativë në parlament si organ kompetent, për të hetuar përgjegjësinë e presidentes së tyre, dhe kjo është gjithashtu e çuditshme për mua”, tha Ivanovska.
Aktualisht, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) që duhet të luftojë korrupsionin në Maqedoninë e Veriut, udhëhiqet nga një e dyshuar për korrupsion e cila refuzon të japë dorëheqje. Për shkak të interesit të mediave, nga Antikorrupsioni janë deklaruar se kryetaren e dyshuar tashmë për rast korruptiv, mund ta shkarkojë vetëm Kuvendi, duke nënvizuar se ajo as nuk jep dorëheqje dhe as nuk paraqitet në punë, kjo në përputhje me masat e vendosura nga gjykata kompetente.