Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov i bën thirrje Qeverisë që ta publikojë dhe elaborojë tekstin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë para nënshkrimit të saj.
“Mungesa e transparencës shkaktoi komente negative dhe shqetësim në opinion, i cili duhet të tejkalohet me publikimin e tekstit të marrëveshjes para marrëveshjes së saj. Çdoherë duhet të merren parasysh interesat kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Maqedonisë dhe se çfarëdo lloj marrëveshje ndërshtetërore nuk guxon të jetë në dëm të interesave kombëtare të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Aty sqarohet se “Presidenti Ivanov, si edhe deri tani, ashtu edhe në të ardhmen, do të vazhdojë me angazhim në proceset e pajtimit dhe zgjidhje të çështjeve kontestuese në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut politik, në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë të mirë, me qëllim që të arrihen zgjidhje juridike dhe korrekte në bazë të parimit të respektimit dhe mbështetjes së ndërsjellë dhe abstenim nga përzierja në punët e brendshme të shtetit”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, qeveria në mbledhjen e mbrëmdhme e ka miratuar tekstin e marrëveshjes me Bullgarinë.

