Nga kabineti i presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, nuk ka reagim zyrtar pas “selamit” që e çoi nënkryetari i BDI-së, Rafiz Aliti, deri te lideri i LSDM-së, se nëse Zaevi nuk mund të formojë qeverinë, atëherë le të heqë dorë dhe bajrakun do ta merr BDI-ja.
Mirëpo jozyrtarisht, burime të afërta me kabinetin presidencial, kanë thënë se presidenti Gjorge Ivanov ndoshta mund t’ia japë mandatin BDI-së, sepse këtë subjekt e vlerëson shumë më të “matur” se LSDM-në e Zaevit, transmeton Gazeta Lajm. Ata shtojnë se Ivanov çmon kontributin e BDI-së për realizimin e shumë projekteve të rëndësishme për maqedonasit, por edhe për tejkalimin e shumë sfidave për Maqedoninë. Si shembull konkret kur BDI ka ndihmuar Maqedoninë që të përballet me kriza, këto burime përmendin edhe siç e quajnë “mposhtjen e grupit terrorist në Kumanovë”, që sipas tyre është edhe meritë e BDI-së.
“Ahmeti dhe BDI gjatë këtyre viteve sa janë në qeverisje me VMRO-DPMNE-në kanë realizuar projekte të mëdha për popullin maqedonas, që publikisht janë kundërshtuar prej LSDM-së, siç është mega-projekti Shkupi 2014. Ata kanë dhënë kontribut të pamohueshëm edhe gjatë aksionit të suksesshëm kundër terroristëve në Divo Naseslje në Kumanovë. BDI dhe funksionarët e saj kanë luajtur rol kyç për mposhtjen e këtij grupit terrorist. Ne i kuptojmë se këtë nuk guxojnë ta pranojnë publikisht për shkak të frikës dhe reagimeve të pakicës shqiptare në Maqedoni, por besoni që kontributi i tyre për Kumanovën është i pamohueshëm”, kanë thënë këto burime, duke insistuar që të mbeten anonime dhe duke shtuar se Ivaov ia ka falë BDI-së “keqkuptimin që ndodhi me bojkotin e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2014”
Ndryshe Aliti të martën deklaroi se nëse LSDM ka hamendje se nuk mund ta kryej këtë punë, duhet të heqin dorë dhe do të mandatohet dikush prej shqiptarëve.
“LSDM ka kërkuar nënshkrimet e faktorit politik shqiptarë, dhe duhet ti prij këtij procesi,nëse ata kanë dyshime apo kanë hamendje se nuk mund ta bëjmë këtë punë atëherë duhet të heqin dorë dhe do të mandatohet dikush prej shqiptarëve dhe gjithsesi se atëherë ne do ti prinim atij procesi” u shpreh Rafiz Aliti në ClicPlus në Tv21.