Kryetari i Maqedonisë Gjorgje Ivanov dhe kryeministri teknik Emil Dimitriev, sot gjatë kohës së kremtimeve të krishtlindjeve dërguan edhe porosi politike. Dimitriev uroi të mbizotërojë arsyeja për tejkalimin e kësaj – siç u shpreh – kohe turbulente. Ai njëherazi pret që procedura për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë do të jetë brenda afateve ligjore. Ndërkaq kryetari i vendit, Ivanov, në pyetjen se kur dhe cilës parti do t’ia jap mandatin për formimin e qeverisë së re, u përgjigj se do të veprojë në pajtim me Kushtetutën.
“Deri tani nuk pati kurrfarë problemesh, as në zbatimin e zgjedhjeve, as në pjesën e konstituimit të Kuvendit. Pres që gjithçka të kalojë në mënyrën më të mirë dhe më normale, sepse populli këtë e pret, të formohet qeveri dhe ngadalë të përqendrohemi në prioritetet reale”, u shpreh Emil Dimitriev, Kryeministër i RM.
“Siç është caktuar në Kushtetutë, ashtu do të veproj. Sot është festë, për dhënien e mandatit do të flasim të hënën”, u shpreh Gjorgje Ivanov, Kryetar i RM.