Presidenti Gjorgji Ivanov nuk ka njoftuar zyrtarisht se kur do t’i përgjigjet kërkesës së kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev për ti dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme. Dje nga LSDM njoftuan se gjatë dorëzimit të nënshkrimeve të 67 deputetëve, Ivanov ka siguruar Zaevin se mandatin do t’ia jep gjatë dy ditëve në vazhdim. Por sot të kontaktuar nga televizioni Shenja, nga kabineti i presidentit Ivanov thanë shkurt se do të njoftojnë paraprakisht kur do të ketë diçka të re, duke mos dhënë më shumë hollësi. Pretendenti për mandatar, Zoran Zaev edhe një herë ka premtuar sot se Qeveria e re të cilën pretendon ta udhëheqë ai, do të jetë reformuese dhe do të kthejë shtetin e së drejtës.
“Qeveria e Ardhshme e Maqedonisë do të jetë reformatore. Jemi të gatshëm të implementojmë të gjitha reformat e patjetërsueshme qëë lidhen me përparimin ekonomik të qytetarëve dhe të shtetit, si dhe sigurimin e institucioneve të pavarura, gjyqësorit krejtësisht të pavarur, mediumeve të pavarura. Jetë cilësore për të gjitgë qytetarët dhe hapje të perspektivave për përparim dhe zhvillim të Maqedonisë janë qëllimet tona”, ka thënë Zaev gjatë takimin me ambasadoren e Kinës, Lin Lisjen, njoftuan nga LSDM.
Ndërkohë as BDI nuk ka marrë ende asnjë vendim nëse do të jetë partner në koalicionin e ardhshëm qeveritarë ose do të mbështesë Qeveri të pakicës duke ngelur vetë në opozitë. Javën e kaluar nga kjo parti premtuan se vendimi do të merret të hënën, ndërsa sot burime nga kjo parti kanë thënë se fillimisht presin që Zaev të marrë mandatin dhe më pas të vendosin nëse do të hyjnë në negociata për të qenë pjesë e Qeverisë ose jo. Një vendim të prerë nuk ka ende as nga Aleanca për Shqiptarët. Nga Lëvizja Besa kohë më parë janë deklaruar se do të mbështesin Qeverinë e re nëse pranohet platforma e partive shqiptare dhe nëse në atë qeveri nuk do të ketë njerëz të inkriminuar. Ndërsa për të qenë pjesë e Qeverisë, Lëvizja Besa kushtëzon që të pranohet platforma e tyre për ridefinimin e shtetit.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Ivanov dhe BDI heshtin për Qeverinë, Zaev… by tvshenjaofficial