
Në fjalimin e fundvitit, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, adresoi kritika deri tek të gjitha partitë në vend. Ai tha se anjëherë nuk do të pajtohet që Maqedonia të bëhet shtet binacional dhe as të bëhet federalizimi, dhe sipas tij, Maqedonia është vend i barabartë ku jetojnë të gjithë ndërsa problemi i dygjuhësisë është mbyllur me amendamentin numër 5.
Ivanova tha më tej se pa një regjistrim të ri të popullsisë nuk mund të kërkohen të drejta që varen nga statistika.
“Dëgjoj se po kërkohet dygjyhësi në gjithë territorin e Maqedonisë. Ajo çështje është mbyllur me amendamentin e 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, i cili buron nga Marrëveshja e Ohrit, ku është rregulluar çështja e gjuhës zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Përdorimi zyrtar i cilësdo gjuhë në Republikën e Maqedonisë varet nga statistika, ndërsa e vetmja mënyrë për të pasur statistikë reale, është regjistrimi”, deklaroi Ivanov.
Sa i përket eurointegrimeve Ivanov ka thënë se vendi ka pritur shumë për anëtarësim dhe se NATO dhe BE kanë qenë jokorekt ndaj Maqedonisë. Ai kërkoi që NATO dhe BE-ja t’ia heqin bllokadën Maqedonisë.
Fjalimi i fundvitit i presidentit Ivanov u mbajt në Kabinetin e tij, pasi ende nuk është konstituar Kuvendi, vendi ku tradicionalisht mbahet fjalimi për fundvit i presidentit të Maqedonisë.