– Fjalimi i presidentit, Stevo Pendarovski ishte korrekt, deklaroi Rexhail Ismaili nga BDI-ja.
Ai i përshkroi dy gjëra, që presidenti Pendarovski i theksoi, Ligjin për Gjuhët dhe për Gjyqësorin.
“U thirr në raportin e Komisionit të Venecias dhe ne si shtet duhet të ndërtojmë kapacitete për zbatimin e atij ligji. Ju e dini si gazetarë që është formuar Agjencia për zbatimin e ligjit, gjithashtu para një muaji e formuam me ligj edhe Inspektoratin për zbatimin e të njëjtit ligj, kështu që të lejojmë dhe të krijojmë kushte që këto dy institucione të fillojnë të ndërtohen me kapacitete të forta dhe të fillojnë të punojnë, e madje atëherë të shohim se si zbatohet Ligji për Gjuhët”, tha Ismaili.
Ai u bëri thirrje drejtuesve të të gjitha institucioneve të shtetit që t’i kërkojnë dhe të ndërtojnë kapacitete në institucionet e tyre për të zbatuar Ligjin për Gjuhët.
“Jo rastësisht ne kemi thënë edhe paraprakisht se kemi një gjyqësor selektiv, sepse nuk kishte të ndërtuar ndoshta me dekada kapacitete të mira për të pasur një gjyqësor të mirë”, deklaroi Ismaili.
Për përfaqësimin e bashkësive etnike te presidenti i shtetit, Ismaili tha se ata i kishin treguar atij që kjo marrëdhënie duhet të ishte e drejtë në atë që e reflekton shtetin tonë.
“Ne nuk po flasim për individë, por për përqindje të cilat janë të nevojshme pasi që ata janë një kategori kushtetuese dhe kjo përqindje e shqiptarëve të përfaqësuar të presidenti i shtetit duhet të jetë 25 për qind”, deklaroi Ismaili.
Ne si BDI, nënvizoi Ismaili, njohim vetëm aleanca me shtetet që na kanë ndihmuar gjatë tre dekadave të kaluara të pavarësisë tonë në momentet më të këqija.
“Këto aleanca janë me SHBA-në dhe me BE-në. Qëllimi ynë është anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO dhe BE, ne nuk njohim aleanca tjera përveç atyre që i përmenda. Në lidhje me fqinjët, ne gjithmonë përpiqemi që ajo marrëdhënie të jetë e drejtë dhe brenda reciprocitetit dhe bashkëpunimit me ta”, deklaroi deputeti, Rexhail Ismaili.



