Institucionet publike në ishullin grek Lesbos nuk ofruan shërbime, ndërsa shumë dyqane nuk u hapën, pasi vendi ka organizuar grevë një-ditore për të tërhequr vëmendjen për krizën e refugjatëve, raporton AA.
Greva është organizuar me thirrje të Bashkisë së Lesbosit, ndërkohë që një mijë persona, përfshirë kryebashkiakun, deputetë dhe burokratë të lartë, morën pjesë në një protestë në Sheshin Sapfus, për të protestuar kundër politikave të qeverisë dhe Bashkimit Evropian (BE) për azilkërkuesit dhe për të kërkuar “zgjidhje urgjente” për krizën e refugjatëve.
“Prej tre vitesh, ne po bartim mbi supe ngarkesën e refugjatëve në emër të Greqisë dhe Evropës. Nëse duhet kërkuar një gabim, ai duhet kërkuar në Athinë dhe Bruksel, e jo në Lesbos. Ka shumë gjëra që mund të bëheshin deri tani”, tha në adresimin e tij kryetari i Bashkisë, Spiros Galinos.
Ai tha se nuk duan të presin më tej për një zgjidhje për krizën dhe se është e nevojshme që numri i madhë i refugjatëve në ishull të zvogëlohet urgjentisht.
“Refugjatët të zhvendosen nga ishulli në stere. Nuk duam të dëgjojmë rekomandim tjetër për zgjidhje”, tha Galinos, duke shtuar se për zgjidhje duhet të vendosin banorët e ishullit, e jo zyrtarët e BE-së pas dyerve të mbyllura.
“Tani e tutje, ne nuk jemi përgjegjës për ato që do të ndodhin. Ne e zbatojmë vetë zgjidhjen tonë”, shtoi ai.
Ishulli i Lesbosit në afërsi të brigjeve të Turqisë është bërë pikë e zbarkimit për mijëra migrantë që ikin nga varfëria dhe konflikti, veçanërisht gjatë luftës civile në Siri.
Sipas shifrave të fundit, më shumë se 15 mijë azilkërkues në ishujt grekë janë në pritje për vendim, ndërkohë që mbi tetë mijë prej tyre jetojnë në Lesbos, i cili ka kapacitet për strehimin e tre mijë e 500 personave.
Përveç mungesës së vendeve, migrantët përballen edhe me kushte të vështira gjatë stinës së dimrit.
Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) ka theksuar se shumë refugjatë në kampet shtetërore jetojnë “në tenda të vogla dhe strehimore të papërshtatshme për dimër”.
UNHCR ka thënë se autoritetet greke duhet të sigurojnë strehimore adekuate dhe të shpërndajnë ndihma me gjësende të nevojshme për stinën dimrit.
Krahas personave që fitojnë të drejtën e azilit edhe personat e pambrojtur, siç janë familjet me foshnja, të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët pa prindër, kanë mundësinë për t’u zhvendosur nga ishujt në stere. Siç thuhet, mbi 16 mijë refugjatë tanimë janë zhvendosur.
Nga ana tjetër, organizatat kanë kritikuar qeverinë për pritjen e gjatë në kushte të vështira në kampe për procedurat e ngadalshme të azilkërkimit. Megjithatë, qeveria greke heziton të zbrazë kampit në ishuj, me frikën se do të inkurajojë fluks dhe rritje të numrit të refugjatëve.