Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pas një arratie gati dyvjeçare. I riu ishte shpallur në kërkim për trafik droge me bashkëpunim, krim i kryer në Milano në shtator të vitit 2023, për të cilin ishte dënuar me tre vite burg dhe një gjobë prej afro 12.500 euro.
Më 15 dhjetor të po atij viti, ai kishte thyer masën e arrestit shtëpiak dhe ishte larguar nga Italia. Fill pas arratisë, ai ishte kthyer në Shqipëri, ku kishte ndërruar mbiemrin për të shmangur identifikimin. Më pas ishte rikthyer në Itali me dokumente të reja, duke shpresuar të mos zbulohej nga autoritetet.
Sipas mediave italiane, shqiptari kishte ndërtuar një identitet të ri me qëllimin për të shpëtuar nga vuajtja e pjesës së mbetur të dënimit. Megjithatë, hetimet e vazhdueshme të policisë çuan në identifikimin dhe arrestimin e tij gjatë një kontrolli rrugor në autostradën në zonën San Giovanni të Duinos.
Pas procedurave përkatëse, ai u dërgua në burgun e Coroneos, ku do të vuajë dënimin e mbetur: dy vite, nëntë muaj e 14 ditë, sipas vendimit të Gjykatës së Milanos.