Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski sot në konferencë për media në Qeveri informoi se ka rritje të caktuar të çmimeve në shitjen me pakicë, përderisa në shitjen me shumicë çmimet janë kthyer në nivelin si para vendimeve për kufizimin e marzhave dhe ngrirjen e çmimeve që përfunduan më 30 prill të këtij viti.
“Ka rritje të caktuara të çmimeve në tregjet e shitjes me pakicë, përderisa në shitjen me shumicë parimisht çmimet janë kthyer si para vendimit. Ka rritje të caktuara prej tre deri pesë për qind te produktet me qarkullim më të madh, përderisa te ato me qarkullim më të vogël si produkte për higjienë personale, ushqim të fëmijëve, pelena lëvizin prej 10 deri 20 për qind. Janë vërejtur ulje prej 20 deri 100 për qind te perimet dhe pemët”, tha Stojkoski.
Analiza e ISHT para dhjetë ditëve është dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës dhe ajo bazohet në kontroll ekzekutiv të bërë te tregtarët me pakicë dhe tregtarët me shumicë me të cilën ishin përfshirë më shumë se 100 subjekte ose mbi 1.000 vende të shitjes.
Sipas Stojkoskit, bëhet fjalë për analizë vëllimore e cila duhet të shqyrtohet pas çka do të prononcohet Ministria e Ekonomisë.