Ish-zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Hava Delibashi, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj.
Delibashi dyshohet për vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera në bashkëpunim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të këtij grupi.
Prej më shumë se tre muajsh, ajo ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas SPAK, brenda AKSHI-t dyshohet se ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili pretendohet të jetë drejtuar nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Hetimet sugjerojnë se ky grup ushtronte presion ndaj operatorëve ekonomikë rivalë, duke përfshirë edhe rrëmbime, me qëllim të tërheqjes së tyre nga garat për tendera publikë, si në rastin e Gerond Mece.
Aktualisht, dy biznesmenët e përmendur rezultojnë në arrati. Ndërkohë, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ashtu si edhe Delibashi, ndodhet në arrest shtëpie.
Për tre biznesmenë të tjerë dhe një zyrtar policie, Gjykata e Posaçme ka vendosur masa sigurie si ndalimi i daljes jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës.


