Ish-rektori i Universitetit të Pejës, Hasan Mujaj, përmes një reagimi të dërguar në redaksinë e Gazetës Express ka demantuar kryetarin e degës së AAK’së në Pejë, Ali Berishën, i cili ditën e mërkure kishte publikuar një shkrim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook duke shkruar se Prof. Dr. Hasan Mujaj i ishte bashkuar kësaj partie.
E këtë lajm, e ka demantuar vetë Mujaj. Ai në reagim ka shpjeguar se nuk është e vërtetë se tani është anëtar i AAK’së, dhe se me kryetarin Berisha çështjen e aderimit të tij e kishin lënë për ta biseduar. Madje vetë Mujaj i kishte thënë se pa e njoftuar ai, nuk ka aderim.
“Nuk është e vërtete se u bëra anëtar i AAK-se. Me z. Berisha (kryetar i degës ne Peje) vetëm kemi folur për ketë çështje dhe e kemi lënë për të biseduar më tej. I thashë: „Nuk ka aderim pa te njoftuar unë!“ thuhet në reagimin e Mujajt.
Mujaj thotë se Ali Berisha nuk i është përmbajtur marrëveshjes së tyre, dhe kërkon nga ai që ta tërheqë njoftimin të cilin e kishte publikuar pa autorizimin e tij personal. /GazetaExpress/
Reagimi i plotë i Prof. Dr. Hasan Mujaj:
Reagim
Nuk aderova ne AAK!
Nuk është e vërtete se u bëra anëtar i AAK-se. Me z. Berisha (kryetar i degës ne Peje) vetëm kemi folur për këtë çështje dhe e kemi lënë për të biseduar më tej. I thashë: „Nuk ka aderim pa te njoftuar unë!“
Z. Berisha nuk i është përmbajtur kësaj marrëveshjeje. Andaj, e ftoj z. Berisha qe ta tërheqë atë njoftim te paautorizuar nga unë nga mediumi publik.
Ai nuk qe i përkorë në këtë rast! Pra, nuk jam anëtar i AAK-se.
Prof. Dr. Hasan Mujaj



