Lidhur me protestën e sotme për mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, lideri i partisë politike “Dinjiteti” dhe veteran i forcave maqedonase të konfliktit të vitit 2001, Stojançe Angellov, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook.
Angellov thekson se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së që kanë kryer krime lufte duhet të mbajnë përgjegjësi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pa marrë parasysh se ku dhe kur janë kryer ato krime.
Ai nënvizoi se kjo vlen edhe për pjesëtarët e UÇK-së që, sipas tij, kanë kryer krime lufte në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001, duke vlerësuar se është absurde të kërkohet lirimi i personave që janë të dyshuar, të akuzuar apo të dënuar për vepra që bien nën të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Sipas Angellovit, krimet nuk guxojnë të relativizohen dhe as të përdoren për qëllime politike.


