Gjatë qeverisjes së VMRO DPMNE-së me Ministrinë e Punëve të Brendshme janë shpenzuar shuma marramendëse për ushqim. Pesë zyrtarë të cilët në atë kohë kanë pasur të drejtë të shfrytëzojnë kartelë debitore, në mesin e të cilëve ministri, kreu i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe shefi i tij i kabinetit, drejtori i Byrosë për Siguri Publike dhe sekretari shtetëror derisa kanë qenë në poste kanë shpenzuar 100 mijë euro për ushqim, pije dhe nevoja të tjera që nuk janë mbuluar me rregulloren për shpenzime zyrtare. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut sa është shpenzuar për këtë qëllim në kohën e Gordana Jankulloskës, Sasho Mijallkovit, shefit të tij të kabinetit, Toni Jakimovskit, Lubço Todorovskit dhe Mitko Çavkovit. Prej vitit 2011-të deri 2016-të për përfaqësim përmes faturave të nënshkruara janë shpenzuar thuajse 1,5 milionë euro. Janë konsumuar ushqime ekskluzive, ndërsa nuk ka munguar edhe pije. Krerët e MPB-së në atë kohë veçanërisht kanë pëlqyer të konsumojnë, peshk në prush, mish kali dhe mish gjahu. Verëra të shtrenjta që kushtojnë disa mijë denarë për një shishe. Ndërsa kur kanë dëshiruar shoqërim pa ushqim, kanë parapëlqyer uiski “Çivaz Rojal”, konjak “Kuvoazje” që kushtojnë 1600 dhe 1200 denarë për gotë ndërsa kanë konsumuar me dhjetëra të tilla. Krahas këtyre pijeve, si shtesë kanë porositur arra indiane. Në brifingun e MPB-së janë përmendur disa gjëra simptomatike. Së pari, faturat shumë shpesh kanë qenë nga 500 euro. Në të shumtën e rasteve janë bërë vetëm në disa restorante. Disa nga faturat janë bërë kur kanë ndodhur ngjarje të palakmueshme. Gosti ka pasur edhe në kohën kur ndodhën vrasjet në Liqenin e Smillkovës, si dhe një ditë para aksionit policor në Kumanovë më 8 maj të vitit 2015-të. Janë paguar dreka edhe në ditën kur kishte viktima. Atëherë nga DSK-ja dhe Siguria Publike kanë shpenzuar qindra euro në peshq dhe verëra të shtrenjta. Kryesia aktuale e MPB-së paralajmëroi se për shkak të shpenzimeve vetëm në disa kafene të caktuara ka tregues për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe është duke u shqyrtuar se çfarë do të ndërmerret. Zbardhën edhe atë se derisa Oliver Spasovski ishte ministër teknik, është kërkuar nga Enti Shtetëror për Revizion të bëj revidim të punës financiare të MPB-së dhe të shpenzimeve për përfaqësim, por, janë refuzuar. Nga Enti Shtetëror për Revizion nuk u përgjigj se kur është bërë për herë të fundit revidimi i punës së MPB-së dhe pse nuk i janë përgjigjur kërkesës së Spasovskit. Ndryshe, nga Ministria sqaruan se shpenzimet për përfaqësim nuk i përfshijnë drekat dhe darkat zyrtare, shpenzimet operative dhe veprimet e tjera të Ministrisë. Paralajmëruan se është duke u bërë saktësim shtesë i Rregullores që qartë do të përcaktojë se çfarë paraqet përfaqësimi.
Data 19.06.2026
Aktuale
- Voziste me 188 km/h në austostradën Kumanovë-Shkup, policia ndalon shtetasin serb
- Minçev për grindjen e supozuar midis Mickoskit dhe Dimitrievskit: Disa pyetje nuk meritojnë përgjigje
- “Rama jep dorëheqjen, s’ka bisedime”- Sot protesta e 20-të e qytetarëve për largimin e qeverisë! Sheshet dhe rrugët plot
- “Amendamenti ynë kërkon moratorium ndërtimesh në zonat e mbrojtura”- Eurodeputetja kundërshton Ramën: Po injorohen kërkesat e shoqërisë civile, dëgjoni protestuesit! Korrupsioni, sfidë madhore
- Evropa mbyll derën për Rusinë: As sport, as kulturë deri në një paqe të drejtë në Ukrainë
- Këmbimi valutor 19 qershor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera
- Nafta në Shqipëri kushton më shtrenjtë, qytetaret e paguajnë 10.5% më shumë se mesatarja europiane
- “Putin ka dhënë urdhrin”- Lavrov njofton hakmarrjen ndaj bombardimeve nga Ukraina

