Humanisti dhe themeluesi i organizatës joqeveritare “Dhuro një kompjuter”, Borçe Stamenov, si dhe doc. dr. Irfan Ahmeti nga Klinika Universitare për Endokrinologji, janë fituesit e sivjetshëm të çmimit shtetëror “Nëna Tereza”, njoftoi Ministria e Kulturës.
“Në bazë të vendimit të Komisionit për ndarjen e çmimit shtetëror, kjo mirënjohje për arritje me rëndësi të veçantë në fushën e humanizmit, solidaritetit njerëzor dhe promovimit të mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit ndërkulturor e ndërfetar, për vitin 2025 i ndahet Borçe Stamenovit nga ‘Dhuro një kompjuter’ dhe doc. dr. Irfan Ahmetit nga Klinika Universitare për Endokrinologji,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 26 gusht, në orën 11:00, në Kuvend.
Stamenov ishte fitues i çmimit shtetëror “Meto Jovanovski” në vitin 2023, një nga njohjet më të larta për kontributin afatgjatë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, dr. Irfan Ahmeti është specialist internist dhe subspecialist endokrinolog, i punësuar në Klinikën e Endokrinologjisë në Shkup dhe pjesë e Shoqatës Shkencore për Obezitetin.