Nga Irena Beqiraj
Nëse nuk e dini, mësojeni. Jeni aty për t’u nënshtruar! Reforma territoriale e vitit 2015 duhej të ishte vlerësuar në katër komponentë:
1. Rritja e efikasitetit ekonomik në ofrimin e shërbimeve.
2. Përmirësimi i cilësisë së demokracisë lokale.
3. Shpërndarja e burimeve (dhe niveli i pabarazisë midis qeverive lokale).
4. Aftësia për të zbatuar politikat e zhvillimit ekonomik lokal.
Pa një matje të qartë dhe transparente të këtyre katër komponentëve, djegia e teserave apo kundërshtimi i kryetarit të Divjakës, ose, siç e quaj unë, “mrekullia turistike e shitjes së 12 milionë kastravecave dhe domateve”, thjesht po e bezdisin si miza në zheg “Autokratin me shije”!
Për sa kohë që ka 800 mijë vota të siguruara nga socialistët, i lodhur nga ngathtësia e servilëve të tij për të zbatuar, sa hap e mbyll sytë dhe pa procedurë, kërkesat e tij, nuk është çudi që autokrati të kërkojë që pushteti lokal të kthehet në një kompani publike në formën e një holdingu, bashkitë në degë të saj, ndërsa drejtorët të emërohen dhe të shkarkohen me një të rënë të lapsit.
Për t’iu shmangur rregullave të prokurimit publik, transparencës dhe llogaridhënies, partneriteti publik-privat, siç e kemi parë tashmë të zbatohet në çdo sektor, me kompanitë e formuara rishtazi në AKSHI, në mbrojtje apo në shëndetësi, mund të jetë e vetmja formë për rritjen e efiçencës në zbatimin e shpejtë, pa transparencë dhe llogaridhënie, të vizionit të “Autokratit me shije”!
Ndërsa mesazhin më të qartë për të gjithë socialistët që djegin teserën dhe kryetarët që kundërshtojnë e dha deputeti Braçe, i cili deklaroi se “nga Rama na ndan vetëm humbja e pushtetit”. Pra, as keqqeverisja, as mungesa e demokracisë dhe as korrupsioni; vetëm pushteti.
Nëse nuk e dini, mësojeni! Arsyeja pse i keni ato tesera dhe pse jeni zgjedhur në ato pozicione është e thjeshtë: të mos mendoni, por vetëm të bindeni!
Ai e di mirë se ju do të bëni sërish atë që dini të bëni më mirë!



