
Dy fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes nga gripi. Bëhet fjalë për fëmijë të moshës tre dhe katër vjeçare, njëri nga Kërçova dhe tjetri nga Gostivari. Siç bëhet e ditur në raportin javor të Institutit për Shëndet Publik, fëmijët kanë qenë të hospitalizuar në spitalin Klinik për sëmundje të fëmijëve në Shkup, reparti për përkujdesje intensive.
“Në javën e parë të vitit 2017, janë paraqitur 8.067 raste të prekur nga gripi, që paraqet ulje për 14.9 për qind krahasuar me javën e kaluar kur janë regjistruar 9.485 raste. Edhe këtë javë si dhe të kaluarën, numri më i madh i të sëmurëve – 1.046, është regjistruar në Shkup, ndërsa numër më i madh i rasteve janë paraqitur nga Strumica 935, Manastiri -932 dhe Kavadari -764, thuhet në raportin e IPSH-së.
Sa i përket grupmoshës, në raport qëndron se 70 për qind e rasteve të prekur nga gripi, janë të moshës 15-64 vjeç, që paraqet rritje të butë të pjesëmarrjes në përqindje nga java e kaluar.
“Në rastet e paraqitura të javës së parë, fëmijët e moshës prej 5-14 vjeç marrin pjesë me 11.7 përqind (946), personat mbi 65 vjeç me 10.7 përqind (860), ndërsa përqindje më e vogël bie te fëmijët 0-4 vjeç 7.2 përqind (581)”, qëndron më tej në raport.
Në vitin 2016/2017, numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga gripi është 23.843 persona, thuhet në raportin e ISHP-së.
Enis Murtezi /SHENJA/
IPSH: Dy fëmijë humbën jetën nga gripi by tvshenjaofficial