Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar paraqet problem tejet serioz për investitorët e huaj dhe sa më shpejtë duhet të ndërmerren masa për përmirësimin e kësaj situate. Kështu tha kryetari i Këshillit të Investitorëve të Huaj në kuadër të Odës Ekonomike, Shtefan Peter. Ai sqaroi se për këtë çështje është realizuar edhe një hulumtim me kompanitë, ku është vërtetuar se ato po përballen me vështirësi në plotësimin e vendeve të punës me të punësuar adekuat. 90 për qind e kompanive, thonë se kjo është problem esencial edhe në të ardhmen.
“Ky hulumtim na tregon se përfundimisht ka një kërkesë për fuqi punëtore të kualifikuar edhe tani, por edhe në të ardhmen. Por, gjithashtu na tregon se nuk ka mjaftueshëm ofertë të fuqi punëtore të kualifikuar”, ka deklaruar Shtefan Peter, kryetar i Këshillit të Investitorëve të Huaj.
Një nga zgjidhjet e këtij problemi, theksoi Peter, është edhe sistemi paralel mësimor, përkatësisht shkolla të mesme profesionale që në vetë përmbajnë më shumë mësim praktik. Ai po ashtu tha se vendet perëndimore si Austria, Gjermania apo Zvicra, kanë eksperiencë të shkëlqyeshme me një sistem të këtillë për shumë vjet.
“Në vija të gjera, koncepti parasheh më shumë trajnim praktik me pjesëmarrjen e kompanive gjatë periudhës së shkollimit të mesëm. Apo siç e bëjmë në Austri, punësimi i punëtorëve tinejgjer në kompanitë që nga mosha e tyre 16-vjeçare, si praktikantë dhe njëkohësisht ndjekës të procesit mësimor”, ka thënë Shtefan Peter, kryetar i Këshillit të Investitorëve të Huaj.
Nga Këshilli i Investitorëve të Huaj, thonë se për zgjidhje afatgjatë të problemit, nevojitet përfshirje dhe interesim edhe nxënësve dhe prindërve, si dhe reforma përkatëse të sistemit arsimor, i cili ofron kushte jo të mjaftueshme për mësim praktik. Përndryshe, ata thonë se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, jo vetëm që do të paraqesë pengesë serioze për kompanitë që operojnë në Maqedoni, por do të bëjë që investitorët eventual të rikonsiderojnë vendimin përfundimtar.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Investitorët: Nuk ka punëtorë të kualifikuar by tvshenjaofficial