Tetë kompani të reja të huaja kanë vendosur të investojnë në Maqedoni në vlerë prej 75 milionë euro. E fundit, me të cilën qeveria nënshkroi një marrëveshje është Kompania nga Kosova “SEGEM” nga Industria farmaceutike, që do të investojë 20 milionë euro dhe planifikon të hapë 300 vende pune. Promovimi i investimit të ri ndodhi paralelisht me promovimin e draft-tekstit të ligjit për mbështetjen financiare për investime. Në pyetjen drejtuar zv.kryeministrit Koço Angjushev se me çfarë kushte do të jepen subvencione shtetërore, duke pasur parasysh se ligji nuk është miratuar ende, ai tha se kjo bëhet në bazë të ligjit aktual, por edhe në bazë të kritereve të reja.
Në kuadër të ligjit ekzistues, ne mund të japim ndihmë shtetërore siç është dhënë më parë. Këto kompani, tre për ndihma shtetërore dhe pesë për dhënien me qira të tokës në ZZHTI i morën kontratat në bazë të kritereve të reja të mbuluara në ligj, dhe që janë kompatibile me ligjin evropian për ndihmë shtetërore. Baza ligjore mbi të cilën lidhen këto marrëveshje është edhe ligji aktual – deklaroi zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike Koço Angjushev.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke shpjeguar Ligjin, tha se pret të ketë rritje të konkurrencës së ekonomisë, punësime të reja, përmirësimin e efikasitetit dhe produktivitetit. Ai pret që ligji të miratohet deri në mars.
Me këtë ligj janë rregulluar llojet dhe lartësia e mbështetjes financiare, të investimeve, kushtet, mënyra dhe procedura për dhënien e mbështetjes financiare për bizneset që do investojnë në Maqedoni. Posaçërisht me parime të transparencës dhe publikes – deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga 23 investimeve ekzistuese, analizat e qeverisë tregojnë se tre kompani nuk do të marrin ndihmë financiare, për shkak se më parë nuk kanë paguar sigurim shëndetësor dhe pensional për punonjësit.
Ne nuk do të lejojmë investimet e huaja apo kompanitë e Maqedonisë, të mos i paguajnë kontributet sociale, për shkak se ajo siguron arsimim të mirë, shëndetësi të mirë dhe një të ardhme të sigurt për të rriturit tanë – shtoi Koço Angjushev.
Ndërkohë gjashtë kompani kanë njoftuar dyfishimin e kapacitetit të tyre. Për gjysmë viti janë paralajmëruar 30 investitorë të rinj, me të cilët tashmë qeveria është në negociata. Për vitin 2018 janë parashikuar 50 milionë euro ndihmë shtetërore, por në qoftë se interesi është më i lartë se parashikimi, është i mundur dhe rishikimi i buxhetit.
Alsat M