Rrjeti televiziv publik gjerman, ZDF, ka publikuar një investigim bombastik me titull “Mafia shqiptare e kokainës”.
Reportazhi investigativ është përgatitur nga producenti i njohur britanik, Matt Shea.
Fillimisht ai tregon se si shpërndahet kokaina në nivelet e larta të shoqërisë angleze, deri në festat e të rinjve të Oksfordit. Ata pranojnë se drogën e marrin nga shqiptarët, të cilët e shpërndajnë me shpejtësi dhe efikasitet, njësoj si në shërbimet e ushqimit të shpejtë.
Më pas vëmendja e dokumentarit zhvendoset në Medelin të Kolumbisë, epiqendra botërore e kokainës. Matt Shea arrin të intervistojë një nga drejtuesit e klanit Golfo në Meksikë. Ai bën aty një deklaratë bombastike, se shqiptarët blejnë sasi të mëdha kokaine.
“Prej 15 vitesh kemi një aleancë me shqiptarët. Ata blejnë rregullisht në sasi të madhe deri në 7 ton”, thotë ai.
“7 ton kokainë në javë, kjo do të thotë kokainë me vlerë 8 miliardë dollarë në vit”, reagon Shea.
“Po, ata janë eksportuesit më të mëdhenj. Në Kolumbi ka shumë shqiptarë. Ata dërgojnë njerëzit e tyre këtu për të provuar drogën. Kur dikush u zë rrugën, i fshijnë. U zhdukin të gjithë familjen”.
Kujtojmë se Karteli i Golfit është ndër më të mëdhenjtë në botë dhe më i vjetri në Meksikë, i shpallur organizatë e huaj terroriste nga administrata e presidentit Donald Trump në SHBA. Sipas dokumentarit, Uashingtoni investon 1 miliardë dollarë për të luftuar kartelet e drogës vetëm në Kolumbi. Ekspertët thonë se ky kartel është shumë i suksesshëm për shkak se pas tyre qëndrojnë politikanët dhe mbrohen nga ekspertë ushtarakë, disa prej tyre të stërvitur dhe të përgatitur nga ushtria amerikane.
Matt Shea depërton edhe në xhungël, ku arrin në një bazë të prodhimit të kokainës. Aty interviston “Bebin”, komandant rajonal në një nga bazat e kokainës të Kartelit të Golfos në Kolumbi.
“Drogën e mbrojmë me jetën tonë. Kjo është gjithçka që kemi. Ka vetëm një familje. Kam vrarë njerëz vetëm pse kanë pirë një cigare hashash. Ka disa shqiptarë në Kolumbi. Duan të ndërtojnë një perandori. Ka shumë rivalitet. Shumë e paguajnë me jetën”, thotë “Bebi”.
Sipas Matt Shea, mafia shqiptare ka hapur një rrugë të re për shpërndarjen e drogës. Ajo vjen nga Amerika Latine në Shqipëri. Prej këtu, droga shpërndahet në vende të ndryshme të Europës.
© SYRI.net