Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i Invest Macedonia dhe bashkëpunëtorët e tij qëndrojnë në një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë.
Zyrtarët e Invest Macedonia do të priten në takime nga përfaqësues të qeverisë shqiptare por edhe drejtues të institucioneve në mbështetje të sipërmarrjes, si dhe biznesmenë të suksesshëm shqiptarë. Siç citohet në njoftimin zyrtar, delegacioni nga Maqedonia do të pritet në takime nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi, nga Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga zëvendësministri i Europës dhe Punëve të Jashtme, Etjen Xhafaj, Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halilaj, nga Drejtori i Kabinetit pranë Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete dhe Albana Shkurta, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, nga Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Brisida Shehaj, por edhe nga Drejtori Ekonomik i Bashkisë Tiranë, Enkelejd Musabelliu. Për Drejtuesin e Zyrës Ndërkombëtare ”FM Consulting”, Fatos Mustafa i cili shoqëron edhe delegacionin e zyrtarëve të Invest Macedonia, kjo është një vizitë tejet e rëndësishme. “Maqedonia dhe Shqipëria, si fqinjë të afërt kanë nevojë për lidhje të ndërsjella që janë në interes për të dy vendet”, thotë Mustafa, duke shtuar se një ndër mënyrat se si mundemi ta rrisim këtë bashkëpunim është ndërmjet organizimit të vazhdueshëm të vizitave të ndërsjellëta, si me qeveritarët, ashtu edhe me komunitetin e biznesit për të njohur nga afër potencialet. “Maqedonia zbaton një model të suksesshëm për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si dhe ofron subvencione e përjashtime nga taksat për investimet e reja. Shqipëria ofron dalje në det dhe porte të rëndësishme për nga ana strategjike, siç është ai i Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit etj.”, tha Mustafa. Për Zyrën Ndërkombëtare ”FM Consulting” Maqedonia dhe Shqipëria duhet të punojnë për të krijuar një treg të përbashkët për investimet, tregtinë dhe turizmin
Mes delegacionit Invest Macedonia dhe pales shqiptare gjatë dy ditëve do të ndahen përvojat pozitive edhe në lidhje me diplomacinë ekonomike, e cila gjithmonë e më shumë po ndihmon në rritjen e investimeve direkte. Janë parashikuar të zhvillohen takime edhe me Nënkryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Arben Shkodra dhe anëtarë të rëndësishëm të Dhomës, por edhe me sipërmarrës të suksesshëm, si Presidenti i Fu Farma, Isuf Berberi, Presidenti i Mare Adriatik, Mark Babani etj. Për Zyrën Ndërkombëtare ”FM Consulting” këto takime mes përfaqësuesve të dy qeverive, por edhe të biznesit janë shembulli më i mirë sesi Maqedonia dhe Shqipëria duhet të rrisin më tej bashkëpunimin për të forcuar pozitat e tyre, si dhe për të garantuar më shumë konkurrueshmëri dhe një klimë sa më të favorshme për sipërmarrjen në të gjitha fushat me interes të përbashkët.