Bilall Suxhubashi, Drejtor kryesor ekzekutiv i Halkbank AD Skopje
Intervistë – Suxhubashi: Me kreditë e reja konsumatore me grejs-periudhë prej 6 muaj, Halkbank ofron një mundësi për konsolidim shtesë të qytetarëve
Tashmë gjashtë muaj, vendi jonë po përballet me pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia me Kovid-19, jo vetëm nga aspekti shëndetësor, por edhe nga pikëpamja ekonomike sepse pasojat ndihen në të gjitha segmentet e funksionimit të shtetit. Na pret një periudhë e pasigurt, në të cilën sipas vlerësimeve të autoriteteve shëndetësore, mund të ketë një rritje të numrit të pacientëve, rrjedhimisht me shumë mundësi edhe masa të reja kufizuese. Për ndikimin e krizës në sektorin bankar, mbështetjen e klientëve, produktet e reja që do të ndihmojnë në konsolidimin e qytetarëve, çështjen e bankës Eurostandard dhe pagesën e depozitave “të bllokuara” të kursimit, ne biseduam me Bilall Suxhubashi, drejtor kryesor ekzekutiv i Halkbank AD Skopje.
Banka Popullore në raportin e saj për stabilitetin financiar, doli me qëndrimin se sektori bankar është i qëndrueshëm, por ekziston frika se bankat mund të goditen, kryesisht për shkak të pamundësisë së disa klientëve për të shlyer në kohë detyrimet e tyre, gjë që thekson rrezikun e humbjeve kreditore në bilancet dhe tkurrjen e mundshme të rritjes kreditore? Cilat janë pritjet tuaja?
Suxhubashi: Sektori bankar në vitet e kaluara ka kaluar dy kriza të mëdha, krizën financiare globale në vitin 2008 dhe krizën me të cilën po përballemi sot, dhe në këtë periudhë është dëshmuar se besimi në sektorin bankar është në nivelin më të lartë, madje edhe po rritet akoma dhe se sistemi është fleksibël ndaj goditjeve të paparashikuara.
Sipas informacioneve publike në dispozicion mbi bankat, si dhe sipas të gjithë sinjaleve të autoriteteve monetare, jemi të bindur se sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe do të mbetet i qëndrueshëm. Banka Popullore tashmë ka publikuar analiza që tregojnë se sektori financiar i vendit është mirë i përgatitur të përballet me sfidat e krizës-korona. Për më tepër, këtë e konfirmoi edhe raporti më i ri i agjencisë „Standard and Poors“ ku theksohet se pozicionimi i politikës monetare dhe masat e Bankës Popullore kontribuojnë në neutralizimin e efekteve të pandemisë me Kovid-19 në ekonominë maqedonase dhe se sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm.
Stabiliteti është rezultat i faktit se gjatë viteve para paraqitjes së pandemisë, sektori bankar i vendit ka realizuar rritje të shëndetshme dhe të qëndrueshme kreditore, e që vërehet edhe përmes uljes së normës së kredive jofunksionale. Kjo në një farë mënyre konfirmon se pozicioni i mirë i sektorit bankar nënkupton gatishmërinë e tij për t’u përballur me sfidat që do të vijojnë.
Banka Qendrore tashmë publikoi se kreditë jofunksionale mbahen në nivelin më të ulët historik prej 4,7 përqind, derisa shumica e bankave kanë uljen e tyre, respektivisht, pa bankën Eurostandard, licenca e së cilës është revokuar, niveli i kredive jofunksionale të sistemit bankar është dukshëm më i ulët dhe arrin në vetëm 3.7 përqind të të gjithë kredive. Në të njëjtën kohë, sistemi bankar për sa i përket rezultateve financiare në tërësi, vëren një përmirësim me gati 21 përqind.
Natyrisht, bankat, klientët e tyre dhe në përgjithësi të gjithë subjektet ekonomike dhe institucionet në vendin tonë po përballen me sfida të shumta të kësaj krize, pasojat e së cilës do të varen nga kohëzgjatja dhe intensiteti i efekteve negative të krizës globale shëndetësore, rrjedhimisht edhe krizës ekonomike.
Nga këndvështrimi i Halkbank, si një ndër katër bankat më të mëdha në vend, si po përballeni me krizën? A ka tkurrje të kreditimit ose tkurrje të depozitave në Halkbank?
Suxhubashi: Për momentin nuk i ndiejmë pasojat. Sigurisht, kjo është kryesisht për shkak të faktit se Halkbank është një bankë e mirëkapitalizuar. Me fillimin e krizës, banka jonë amë Halkbank AS Turqi miratoi një vendim për rikapitalizimin e Halkbank AD Skopje me 20 milion euro, me të vetmin qëllim që të përballemi me të gjitha sfidat. Dhe sigurisht, për stabilitetin dhe punën tonë i rëndësishëm është fakti që në vitet e kaluara kemi punuar shumë në të gjitha segmentet e punëve bankare. Halkbank është banka e katërt më e madhe në tregun tonë sa i përket aktivës prej 935 milion euro dhe banka e katërt sa i përket madhësisë së fitimit. Viti i kaluar për ne ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, respektivisht vit rekord sepse arritëm fitim prej 11.4 milion euro, shënuam rritje të aktivës për më shumë se 10 përqind, e rritëm pjesëmarrjen në treg edhe në pjesën e kreditimeve dhe e njëjta prirje e rritjes është regjistruar edhe në pjesën e depozitave.
Nga ky fakt mund të dilnim me një sërë masash për të ndihmuar shtetin dhe qytetarët – nga pagesa e parakohshme e detyrimeve ndaj shtetit, përmes pagesës së shtyrë të kredive për ekonominë dhe qytetarët për një periudhë prej 6 muajsh, në një seri veprimesh për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla, klientë tanë që u goditën fuqishëm nga kriza.
Përkundër të gjitha goditjeve, Halkbank është bankë e qëndrueshme dhe shënon norma të larta të likuiditetit dhe rritje të depozitave. Si përgjigje ndaj krizës në treg ofruam edhe më shumë produkte të reja kreditore me norma dhe kushte të parezistueshme interesi, mirë të pranuara nga ana e qytetarëve.
Presim që masat e Bankës Popullore dhe të Qeverisë të mundësojnë rimëkëmbjen e ekonomisë, rrjedhimisht edhe të popullatës, që nga ana tjetër do të reflektojë pozitivisht edhe në sektorin bankar. Megjithatë, mbetet të shohim se si do të zhvillohet situata e pandemisë, nga e cila varet gjithçka.
Nga muaji tetor, të gjithë ata që nuk do të përfitojnë shtyrje të re të detyrimeve do të fillojnë me shlyerjen e rregullt të detyrimeve të tyre kreditore. Si do të paguhet interesi që llogaritej gjatë periudhës së shtyrjes? Dhe sa klientë tuaj do t’i përmbushin kushtet për shtyrjen e dytë të detyrimeve për shlyerjen e borxheve, referuar vendimeve të BPRMV-së?
Suxhubashi: Kësti i parë i maturimit të anuiteteve mujore në emër të kredive do të fillojë në datën 30.09.2020. Mënyra e pagesës mbetet e njëjta sikur para shtyrjes, në nivel mujor, sipas planeve të reja të amortizimit që klientët do t’i kenë në dispozicion, duke paguar anuitetet që përmbajnë principalin, interesin dhe një pjesë të vogël të interesit të përllogaritur për periudhën e shtyrjes. Interesi i përllogaritur për periudhën e shtyrjes do të shpërndahet në mënyrë të barabartë për periudhën e mbetur të shlyerjes së kredisë, periudhë e shtuar për 6 muaj shtesë, me qëllim që të shmanget imponimi i një barre më të madhe për klientin, dhe e gjithë kjo në përputhje me shpalljen e bankës për shtyrjen e parë të detyrimeve gjatë muajit mars të vitit 2020.
Sa i përket shtyrjes së re të detyrimeve kreditore, bazuar në analizën e bankës, numri i klientëve që e plotësojnë kushtin për zvogëlim të të ardhurave mujore ishte rreth 8.000 klientë. Nga to, 799 klientë – persona fizikë, me gjithsej 2037 produkte kreditore, për momentin po e shfrytëzojnë masën e dytë për shtyrje 6-muajshe të detyrimeve kreditore. Ky numër nënkupton një ulje drastike nga ato të shtyra fillimisht, dhe parashikohet se do të pësojë një ulje shtesë për faktin se një numër klientësh do të refuzojnë ofertën sepse përballen me shpenzime të reduktuara si rezultat i punës nga shtëpia, mos shfrytëzimin e pushimeve, etj. Klientët e tjerë që konsiderojnë se i plotësojnë kriteret për shtyrje, duhet të dorëzojë dokumentacionin përkatës, sepse në të kundërtën nuk do të kenë bazë për shtyrje të mëtutjeshme të ekspozimeve të tyre.
Këto ditë dolët me një Kredi të re konsumatore me grejs-periudhë prej 6 muajsh? A i referohet ky produkt faktit se ka skaduar periudha 6-mujore në të cilën qytetarët patën mundësinë të shtyjnë detyrimet e tyre kreditore, përveç nëse nuk hyjnë në kategorinë e qytetarëve që mund të marrin një shtyrje të re të detyrimeve?
Suxhubashi: Në një farë mënyre, po. Me këtë produkt, ne u dalim në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për fonde shtesë. Kjo i përfshin edhe ata, që për huazimin e tyre kreditor në periudhën e mëparshme përdorën masën për të shtyrë pagesën, dhe tani nuk i plotësojnë kushtet për të marrë një shtyrje të re të kësteve. Sipas kushteve të përcaktuara nga masat për shtyrjen e sërishme të kësteve, këtë mundësi mund ta përdorin vetëm ata që kanë ulje të të ardhurave prej të paktën 10% krahasuar me periudhën para krizës së shkaktuar nga Kovid-19, ata që kanë mbetur të papunë ose, nëse ata që kanë pasur shpenzime për mjekim. Shumë qytetarë ndoshta nuk kanë pasur ulje të të ardhurave të tyre personale, por marrë parasysh periudhën e pasigurt, ndiejnë frikë për stabilitetin e tyre financiar. Pikërisht për këtë krijuam një produkt, me të cilin mund të jenë më të qetë. Kredia e re konsumatore është me normë të ulët interesi prej vetëm 5% për dy vitet e para, respektivisht 5,5% normë variabile interesi për periudhën e mbetur, afati i kthimit është deri në 120 muaj dhe e njëjta është pa komision për përpunimin e saj. Në fakt, shpenzimi i vetëm është 350 denarë për marrjen e të dhënave nga Byroja Kreditore dhe 150 denarë për aplikimin e kredisë, që paguhen vetëm nëse aprovohet kredia.
Përdoruesi i kredisë gjatë grejs-periudhës prej 6 muajsh ka për detyrim ta paguajë vetëm interesin. Për shembull, nëse bëhet fjalë për kredi në shumë prej 10.000 euro, me afat kthimi prej 72 muajsh, për të cilën kësti është 161 euro, në 6 muajt e parë dersa zgjat grejs-periudha do të duhet të paguajë vetëm interesin prej 41 euro, kurse këstin me shumën e përllogaritur klienti do të vazhdojë ta paguajë pas skadimit të grejs-periudhës. Për produktin e ri të Halkbank, nuk ka nevojë për garantues, por kolaterali është i lidhur me polisën e sigurimit nga Halk Osiguruvanje AD dhe kreditë në shuma deri në 1.200.000 denarë janë me polisë të detyrueshme nga aksidenti prej 600 denarësh, për periudhën e kohëzgjatjes së afatit të kthimit të kredisë. Kreditë me shuma më të mëdha janë me Paketë polisë sigurimi, ku shpenzimi i sigurimit është i varur nga tarifa e Halk Osiguruvanje AD Skopje dhe parametrat individualë të huamarrësit.
Me produktin tonë të ri, të gjithë klientët që tashmë kanë ekspozime kreditore te ne, do të jenë në gjendje ta rifinancojnë atë. Kjo vlen edhe për ata që kanë kredi në banka të tjera. Në këtë mënyrë, ata jo vetëm që do të gëzojnë një periudhë më të relaksuar, por ndoshta edhe këste më të ulëta nëse kanë marrë huanë ekzistuese në vitet e mëparshme kur normat e interesit ishin rreth 7-8 përqind, dhe madje edhe më shumë.
Ekonomia ishte goditur fuqishëm nga kriza. Shumë eksportues ndaluan prodhimin dhe aktivitetet e tyre eksportuese, disa sektorë të caktuar u bllokuan plotësisht. A keni përgatitur ndonjë masë edhe për to?
Suxhubashi: Halkbank AD Skopje po vazhdon ta mbështesë sektorin korporativ përmes përpilimit të ofertës për shfrytëzimin e periudhës së dytë të shtyrjes së detyrimeve kreditore, që është në pajtim me parimet dhe vlerat tona kryesore, respektivisht ofrimin e shërbimit të shkëlqyeshëm për klientët tanë përmes ofrimit të zgjidhjeve më të mira për nevojat e tyre.
Periudha e dytë përbëhet prej zgjatjes së afatit të shlyerjes së detyrimeve kreditore për edhe 6 muaj për klientët tanë – persona juridikë të cilët shfrytëzojnë tashmë mbështetje financiare. Në këtë mënyrë, ndërmarrjet do të kenë mundësinë për financim shtesë për nevojat e mjeteve xhiruese, duke siguruar kushte të përshtatshme për ripagimin sipas natyrës së biznesit ose për ristrukturimin e kredive të biznesit në disa sektorë. Duke i marrë parasysh implikimet që i ka shkaktuar pandemia ndaj ekonomisë së vendit dhe vështirësitë me të cilat po përballen ndërmarrjet korporative, të voglat dhe të mesmet, ne sinqerisht besojmë se me mbështetjen dhe ofertën tonë do të kontribuojmë që të njëjtat të tejkalohen gjatë periudhës së ardhshme dhe së bashku me klientët tanë do të vazhdojmë me sukses të ecim drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta.
Halkbank me kujdes do ta monitorojë zhvillimin e situatës në sektorë të caktuar të biznesit, sidomos në sektorët më të goditur, situatën në tregun e punës, masat dhe politikat qeveritare, parametrat makroekonomikë etj., që të mund të reagojë në kohë dhe të ofrojë zgjidhje adekuate si intervenim implementues me të gjithë aktorët. Me të gjitha aktivitetet që banka i ka ndërmarrë për periudhën e kaluar, treguam se jemi gjithmonë në komunikim të afërt me klientët, të përkushtuar për zgjidhje adekuate dhe produkte të përshtatura nevojave të qytetarëve, me qëllim të gjenerimit të klientëve të kënaqur dhe gjithmonë të udhëhequr nga parimi „Të rëndësishëm janë njerëzit”.
Në valën e pandemisë me Kovid-19 ndoshi revokimi i lejes së punës të bankës Eurostandard nga ana e BPRMV-së. A do të ndikojë kjo mbi stabilitetin e sektorit bankar dhe vallë do të reflektojë negativisht edhe ndaj bankave të tjera sa i përket tërheqjes së kursimeve për shkak të pasigurisë?
Suxhubashi: Pjesëmarrja e vogël në treg e bankës Eurostandard në aktivën e përgjithshme, depozitat e përgjithshme dhe kreditë e përgjithshme të sistemit bankar, aspak nuk e vë në pikëpyetje stabilitetin. Sistemi bankar është dhe mbetet i qëndrueshëm dhe mirë i kapitalizuar, me likuiditet të lartë. Prandaj, edhe pse revokimi lejes së punës së një banke nuk është lajm i mirë, as për sektorin bankar, as edhe për klientët, megjithatë, kur flasim për tërë sistemin bankar, konsideroj se kjo nuk ka efekt negativ. E njëjta gjë vlen edhe për depozitat ku ne si bankë nuk ndiejmë ndonjë ndryshim. Qytetarët e Maqedonisë, në përgjithësi kanë besim në bankat e vendit.
Kompensimi i kursimtarëve të bankës Eurostandard tashmë ka filluar dhe sipas deklaratave të Fondit për Sigurimin e Depozitave, mbi 99% e depozitave të personave fizikë janë deri në 30.000 euro, sa janë të siguruara në Fond, kështu që numri më i madh i qytetarëve do t’i marrin mjetet e tyre.
Halkbank është njëra ndër katër bankat përmes së cilave realizohet kompensimi i kursimtarëve të bankës Eurostandard. Sa kursimtarë dhe në çfarë shumash do të kompensohen përmes bankës suaj?
Suxhubashi: Halkbank do të kompensojë 34.201 kursimtarë në shumë totale prej 1.122.730.790 denarë. Siç edhe e dini, kursimtarët janë shpërndarë midis katër bankave sipas shkronjës së parë të mbiemrit të tyre. Procesi i kompensimit po vijon pandërprerë. Degët në masën më të madhe të mundshme janë përshtatur me nevojat, nga aspekti i numrit të punonjësve dhe numrit të sporteleve, por janë angazhuar edhe persona për mirëmbajtjen e rradhëve dhe respektimin e masave mbrojtëse.
Kursimtarëve aktualë që i tërhqin fondet në degët tona u ofrojmë mundësinë për të vazhduar kursimin, duke zgjedhur produktin tonë të depozitës që është i përshtatshëm për nevojat dhe mundësitë e tyre. Ata mund t’i marrin paratë e tyre në shtëpi pas tronditjes së parë. Por ky është një opsion i pasigurt dhe prandaj besoj se ata do të vazhdojnë të kursejnë duke zgjedhur një partner të besueshëm. Halkbank është pikërisht ky partner.
Halkbank vazhdon të jetë aktive në mbështetjen e një numri të projekteve që paraqesin ndihmë për komunitetin. Cilat janë përparësitë në këtë drejtim??
Suxhubashi: Halkbank është një mbështetës i rregullt i projekteve në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, kulturën dhe sportin. Sidoqoftë, duke pasur parasysh krizën, dhe disa projekte të tjera që nënkuptonin mbështetje për qytetarët dhe kompanitë u vënë në fokusin tonë. Pra, duke qenë se shumë sektorë u prekën rëndë nga pandemia dhe u detyruan të mbyllnin dyert për shkak të karantinës, për t’i ndihmuar ata përmes mediave ne organizuam dhënien e kuponëve për produkte dhe shërbime për shumë biznese të vogla – restorante, luleshte, sallone për bukuri, qendrat sportive dhe të tjerët.
Për më tepër, së bashku me Mastercard ne krijuam një fushatë që e quajtëm “Në shpenzimin tonë”, dhe me të cilën individët, klientët e rinj ose ekzistues, nëse bëhen përdorues të një produkti të ri të bankës, marrin një kartë debiti Mastercard dhe një kupon me vlerë 500 denarë, të cilin mund ta përdorin te njëri prej klientëve lokalë, prej ku e kanë tërhequr kuponin. Ky ishte një investim prej mbi 25,000 euro për ne, por ne besojmë se është kjo është një ndihmë dhe mbështetje e madhe për bizneset lokale. Gjatë kësaj periudhe e zgjeruam edhe platformën HalkEco – me sukse su realizua gara „Kronometri HalkEco 10 km“, ku Halkbank ishte sponsor i përgjithshëm, kurse pak kohë më parë në Mavrovë e organizuam edhe garën e parë me kronometër në çiklizëm Halk Velo Green, e cila shpresojmë se do të bëhet garë tradicionale.
Gjithashtu, pas ndihmës që i dhamë Qytetit të Shkupit në të cilin jemi duke rinovuar të gjitha urat në pjesën e dytë të Parkut të Qytetit, tani mbështetje i kemi dhënë edhe Komunës së Karposhit. Në QT Leptokaria tashmë është në funksion Halk Corner – një sipërfaqe e bukur, me gjelbërim, pajisje urbane, sistem ujitjeje dhe përmbajtje për fëmijë, që do të jetë një vend i këndshëm për të gjithë vizitorët e kësaj qendre tregtare. Brenda platformës HalkEco, kohët e fundit kemi vendosur edhe stacionin e parë eko të autobusëve në Komunën e Aerodromit, i cili është i pajisur me një çati të gjelbër dhe të qëndrueshme dhe është i pari dhe i vetmi i këtij lloji në vendin tonë.
Kurse ekipi ynë për komunikime korporative tashmë po punon për realizimin e një numri të projekteve me rëndësi shoqërore, që së shpejti do të jenë të dukshme dhe të dobishme për publikun.k