Kandidatja e Lëvizjes Besa, për Qytetin e Shkupit, Nafie Selmani në një intervistë ekskluzive për Almakos, ka shtjelluar temat, zgjidhja e të cilave është parësore dhe nuk mund të presin më. Selmani u zotua se nëse vjen ajo në krye të bashkisë do të bëj ç’mos që të ngrejë çështjet që e tangojnë shoqërinë dhe se për zgjidhjen e të njëjtave do të kërkoj mendimin, ndihmën edhe të qytetarëve.
Almakos: Znj Selmanim, sipas jush cilët janë faktorët që ndikojnë në ndotjen e ajrit në qytetin e Shkupit dhe si planifikoni ju ta zgjidhni këtë problem?
“Një nga faktorët që më së shumti ndikon në ndotjen e ajrit në Qytetin e Shkupit, janë automjetet dhe ngrohja e amvisërive, si dhe faktorë të tjerë siç janë ndërtimi intensiv dhe mungesa e sipërfaqeve të gjelbra. Por duhet ta kemi parasysh një gjë, se Qyteti i Shkupit ka pak kompetenca në drejtim të zbatimit të aktiviteteve dhe masave të ndryshme që do të ndihmonin në zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Mirëpo, një nga masat e para dhe që është lehtë e zbatueshme,është sjellja e masës për përdorimin e automjeteve çift/ tek që do të zbatohet periodikisht nga muaji dhjetor deri në muajin mars. Do të zbatojmë edhe masa tjera sezonale si dhe masa dhe përpjekje permanente për shfrytëzimin sa më të madh të transportit publik, biçikletave dhe de-kurajimin e qytetarëve për përdorimin e automjeteve përmes kufizimit të parkimit në pjesën qendrore të Qytetit, rritjen e çmimeve për parkim, dhe masat tjera që siç thash më lartë, janë lehtë të zbatueshme. Do të ngremë iniciativë për ndryshimin e ligjit për Sigurim dhe mbrojtje në komunikacion ku do të kërkojmë që në çfarëdo qoftë rasti gjatë aksidenteve në trafik ndërmjet automjetit dhe çiklistit ose goditje nga ana e automjetit ndaj këmbësorit në çfarëdo qoftë rrethane, automjeti do të jetë përgjegjës, përjashtohen vetëm rastet e goditjes së qëllimshme, gjegjësisht në rast të keqpërdorimit të ligjit” veçoi ajo.
Almakos: Çfarë nëse nuk funksionojnë masat e lartë përmendura? A keni ndonjë plan tjetër?
“Atëherë, do të realizojmë konsultim me ekspertë dhe publikun e gjerë me qëllim që të ndryshojmë mënyrën e ngrohjes e cila do të jetë e pranueshme ekologjikisht. Nuk do të jepet pëlqim për asnjë plan detal urbanistik ku nuk parashikohet rritje e gjelbërimit apo gjelbërim përreth objektit ndërtimor. Ndërkaq këtë çështje do ta rregullojmë në bashkëpunim me komunat nga të cilat presim që në mënyrë inventive të propozojnë zgjidhje për këtë çështje”, deklaroi Selmani.