Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë ekskluzive për “Syri.net”, ka lëshuar akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama në lidhje me çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut.
Në pjesën e parë të intervistës, Meta deklaron se mënyra si është menaxhuar rasti Balluku tregon qartë, sipas tij, se pas çdo afere qëndron vetë Rama.
Ai akuzon Kryeministrin për vetëmbrojtje politike dhe përdorim të drejtësisë si instrument pushteti, ndërsa paralajmëron se skandali i Tunelit të Llogarasë dhe aferat e tjera nuk mund të fshihen më pas figurave të ministrave.
Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin “Syri. net”:
Pyetje: Z. Meta, si e konsideroni kërkesën e Qeverisë drejtuar Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të GJKKO, për pezullimin e Znj. Belinda Balluku nga Zv. Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë?
Meta: Vetëm si vetëmbrojtje personale për të ardhmen e tij nga Edi Rama.
Fakti që zonja Balluku është marrë e pandehur zyrtarisht nga vetë SPAK-u i Ramës për vepra të dyshuara në ministrinë e saj, do kërkonte një zgjidhje politike ose nga Znj. Balluku përmes dorëheqjes deri sa të përfundonte gjykimi, ose përmes lirimit nga detyra të saj nga vetë Kryeministri, krijuesi i SPAK-ut me 69 vota.
Fakti që Znj. Balluku nuk ka dhënë dorëheqjen, supozoj se lidhet me bindjen e saj se regjizori i vërtetë i tenderave të paracaktuar, që nga Tuneli i Llogarasë pa ura e plot të tjerë, është vetë Edi Rama.
Jo më kot ish-Zv/Kryeministri Ahmetaj u shpreh për aferën e Tunelit të Llogarasë, se ky është rasti kur Rama ha kumbulla e dardha pas shpinës së Znj. Balluku.
Dhe nuk duhet të harrojmë se Z. Ahmetaj ka qenë denoncuesi i parë i aferës së Tunelit të Llogarasë edhe si dëshmitar okular i takimit në Turqi, bashkë me Ramën dhe Znj. Balluku me kompaninë që do shpallej fituese.
Pyetje: A tregon ky rast se SPAK-u i ka dalë nga kontrolli Ramës?
Meta: Absolutisht jo.
Sot Rama ka 83 (+3) mandate vetëm falë keqpërdorimit të SPAK-ut kundër liderave të opozitës, por edhe mosveprimit ndaj krimit zgjedhor dhe krimit të organizuar, dy shtyllave ku mbështetet ky Narkoregjimi.
Për Ramën paprekshmëria e tij personale dhe e këtyre dy shtyllave që garantojnë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve janë vendimtare.
Lidhur me emra të veçantë si Saimiri, Erjoni, Arbeni, Belinda, etj. as nuk i bëhet vonë fare, se ai ka natyrën e akrepit që e ka ves dhe kënaqësi të thumbojë pabesisht cilindo që i rri pranë dhe i shërben.
Edhe ato çështje të krimit të organizuar që kanë përparuar, janë kryesisht meritë e partnerëve europianë, të cilët i kanë nisur për të mbrojtur interesat e tyre së pari.
Kjo është edhe arsyeja përse tani kërkojnë nga Shqipëria pjesën e tyre të parave që janë investuar në Shqipëri nga krimi i organizuar.
Fakti që 250 fletë-arreste flenë në sirtarët e SPAK-ut dhe Narkopolicisë, tregon qartë sundimin e krimit dhe jo të ligjit në këtë vend.


