Intervistë e përbashkët: Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Armen Grigorjan, Përfaqësues i përhershëm i UNDP-së
Almakos: Të shtënat në festime janë dukuri e zakonshme në vendet e Ballkanit, kështu që Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim. Çfarë masash merr Ministria e punëve të brendshme për parandalimin e incidenteve dhe uljen e të shtënave në festa?
Spasovski: Është e padiskutueshme se këto dukuri i shqetësojnë qytetarët dhe u shkaktojnë ndjenjën e frikës dhe rrezikut dhe si rrjedhojë jemi të obliguar t’i kundërshtojmë duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat ligjore që kemi në dispozicion, përfshirë edhe veprimet parandaluese. E dini, përgjigja represive – si një lloj mase e fundit nuk do të thotë ose garanton domosdoshmërisht se një fenomen i caktuar do të eliminohet me siguri. Prandaj edhe them që dënimi është masa e fundit.
Mandej, praktika tregon qartë se pjesa më e madhe e dukurive socio-devijante kanë gjenezë dhe shkaktarë më kompleks, zbulimi, demistifikimi dhe parandalimi i të cilave varet nga një numër i madh faktorësh institucional dhe shoqëror, dhe jo vetëm nga mënyra sa dhe si vepron policia. Si rregull, ajo vjen gjithmonë në fund, pasi fenomeni ka ndodhur tashmë. Ashtu është edhe me përdorimin e armëve në ahengje dhe festime. Në të njëjtën kohë, dua të theksoj se policia vepron për çdo kallëzim të paraqitur, pa përjashtim. Për ilustrim, në periudhën tetor 2021 – tetor 2022, policia ka evidentuar 14 raste të keqpërdorimit të armëve gjatë ahengjeve dhe festave. Sigurisht, thuajse të gjithë janë proceduar penalisht, që kanë rezultuar me shtatë vepra penale të “shkaktimit të rrezikut publik”, një vepër penale të “prodhimit, mbajtjes dhe tregtimit pa leje të armëve të zjarrit apo lëndëve shpërthyese”, si dhe gjashtë vepra penale nga Ligji për Shkeljet kundër rendit dhe qetësisë publike.
Megjithatë, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se është një fenomen që ka shkaqe të shumëanshme, pra i ka rrënjët në shumë faktorë të tjerë social, kulturor, arsimor, tradicional e të tjerë, ne si Ministri e punëve të brendshme po bëjmë një hap më tej, pra drejt këtij fenomeni si dhe ndaj të gjitha dukurive të tjera socio-patologjike si abuzimi me drogën, alkoolin, dhunën etj. ne përpiqemi ta parandalojmë që në fillimet e tij. Përmes veprimeve parandaluese dhe edukative, ne punojmë për të ndryshuar atë matricë mendimesh dhe kuptimesh rreth përdorimit të armëve ose mjeteve piroteknike gjatë ahengjeve dhe festave. Pikërisht kështu ndodh edhe me aktivitetin e fundit që kemi pasur së bashku me partnerët tanë të UNDP-së, i cili realizohet me moton “Çdo plumb ka një shënjestër!” Festo me zemër, jo me armë!”.
Almakos : Z. Grigorjan, UNDP-ja është duke punuar vazhdimisht në projekte që synojnë mbështetjen e institucioneve në luftën kundër armëve ilegale, si dhe reduktimin e incidenteve që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e armëve të vogla dhe të lehta. A jeni të kënaqur me rezultatet?
Grigorjan: Armët ilegale janë një nga arsyet më të shpeshta të incidenteve të armatosura në vend, por edhe në përgjithësi në territorin e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht kjo ishte nxitje që zyra e UNDP-së në vitet e fundit t’i përkushtohet seriozisht mbështetjes së institucioneve që kanë kompetencë luftën kundër armëve ilegale. Ne kemi një ekip ekspertësh që punojnë në zbatimin e Udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme për posedimin, abuzimin dhe tregtinë ilegale të armëve të vogla dhe të lehta (AVL) dhe municioneve në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024. Në tre vitet e fundit kemi realizuar dy projekte në bashkëpunim me Ministrinë e punëve të brendshme. Bëhet fjalë për aktivitete me të cilat kemi forcuar kapacitetet e MPB-së për mbajtjen e evidencës elektronike dhe monitorimin e çdo arme të vogël dhe të lehtë që nga hyrja në vend, deri te blerësi përfundimtar. Për më tepër, ne punojmë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për pasojat e keqpërdorimit të armëve. Rezultatet janë vërtet pozitive dhe të dukshme, por fakti është se ka ende shumë punë për të bërë për këtë problem. Prandaj, në vitin 2023 vazhdojmë me dy projekte të reja, njëri prej të cilëve do të fokusohet në kontrollin dhe monitorimin edhe më të madh të armëve të vogla dhe të lehta dhe i dyti i referohet analizës së legjislacionit që lidhet me grupet e rrezikuara në fushën e krimit kompjuterik. Këto nisma të reja janë një tjetër konfirmim se partnerët dhe donatorët tanë kombëtar janë të kënaqur me rezultatet e arritura dhe progresin e bërë.
Almakos: Ministër Spasovski sa shpesh merrni njoftime për të shtëna në ahengje? A ka pasur ndryshime në ndërgjegjësimin e publikut vitet e fundit lidhur me rreziqet që rrjedhin nga mbajtja dhe keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta?
Spasovski: Sipas të dhënave tona analitike, qytetarët pothuajse sipas rregullit reagojnë pasi të konstatohet një dëm i drejtpërdrejtë apo kërcënim nga një plumb qorr. Natyrisht, fakti është i dukshëm, veçanërisht në zonat urbane, se njerëzit po deklarojnë gjithnjë e më shumë intolerancën e tyre ndaj këtij fenomeni, që padyshim është rezultat i rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për të parandaluar keqpërdorimin e armëve dhe përdorimin e mjeteve piroteknike në festat familjare.
Neve na mbetet që të vazhdojmë të punojmë në atë drejtim, përmes krijimit dhe zbatimit të aktiviteteve konkrete. Si shembull, do të përmend Udhërrëfyesin për zgjidhje të qëndrueshme për të luftuar tregtinë e armëve të vogla dhe të lehta për vendet e Ballkanit Perëndimor, në bazë të të cilit rrjedh edhe Strategjia e re Kombëtare për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta. bazuar së bashku me Planin aksionar për periudhën 2022-2024, i cili në përgjithësi do të kontribuojë në një hap të ri në drejtim të ndërgjegjësimit të mëtejshëm të publikut lidhur me rreziqet që rrjedhin nga mbajtja dhe keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta. Së fundi, ndryshimet ligjore që po zbatojmë në pjesën e Ligjit për Armët, që nënkuptojnë harmonizim të mëtejshëm të legjislacionit tonë me legjislacionin evropian, janë edhe në drejtim të optimizimit normativ të kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta. E gjithë kjo tregon se ne jemi të vendosur për të minimizuar sa më shumë këtë dukuri.
Almakos: Kur gjuajnë në ajër, shumë njerëz thonë se nuk synojnë një shënjestër të caktuar dhe mendojnë se aktiviteti i tyre nuk është i rrezikshëm, edhepse kjo nuk është e vërtetë. A mund të shpjegoni pse të shtënat në ajër janë të rrezikshme?
Spasovski: Shpesh njerëzit nisen nga bindja se “kjo nuk do të më ndodhë apo nuk mund të më ndodhë” apo se bëhet fjalë për diçka të parrezikshme, e cila përveç zhurmës nuk mund të shkaktojë dëm. Por ky është një qëndrim krejtësisht i gabuar! Është më e saktë të thuhet se kjo siguri e rrejshme është praktikisht një lloj rreziku për shëndetin dhe jetën e dikujt. Besoj se kujtesa publike është ende e freskët për ngjarjet me fëmijët e gjymtuar nga mjetet piroteknike apo për rastin e vajzës 19-vjeçare që humbi jetën tragjikisht nga një plumb qorr në festën e ndërrimit të motmoteve në Shkup para më pak se dy dekada. Ndoshta është gjuajtur nga dikush që më parë ka menduar se nuk po bënte asgjë të tmerrshme dhe të rrezikshme.
Përveç kësaj, ahengjet dhe festimet, vetë atmosfera në të cilën është i pranishëm konsumimi i alkoolit, kalkulimi i reduktuar i autorit dhe një sërë faktorë të tjerë, kontribuojnë në ekzistencën e një shkalle të lartë rreziku, domethënë një mënyrë e tillë festimi ka potencial serioz për të shkaktuar tragjedi. Ose, siç thotë populli, prej lojës do të del hidhërim. Dhe kjo është padyshim kështu, sepse armët kanë më së paku vend aty ku festohet.
Almakos: A janë njerëzit mjaftueshëm të njoftuar me ligjet dhe dënimet për mbajtjen dhe përdorimin e armëve të vogla dhe të lehta?
Spasovski: Parimi i transparencës, informimi i hollësishëm dhe me kohë i qytetarëve është një nga standardet thelbësore të punës sonë të përditshme. Ne si MPB, vazhdimisht, përmes formave të ndryshme të komunikimit, përpiqemi që dhënat nga të gjitha fushat e punës sonë të jenë në dispozicion publik në shkallën më të madhe. Prandaj, jam i bindur se një pjesë e madhe e publikut ka informata, qoftë edhe të pjesërishme për këtë çështje. Natyrisht, ne si shërbim qytetar jemi të detyruar dhe të gatshëm të bëjmë edhe më shumë përpjekje për t’ju afruar qytetarëve, për të apeluar, për të informuar, për të komunikuar, duke shpjeguar të gjitha pasojat negative nga përdorimi i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta dhe për kërcënimet që kjo sjell për të dashurit tanë, miqtë tanë, bashkëqytetarët tanë.
Almakos: Zoti Grigorjan, si qëndron Maqedonia e Veriut në aspektin e trajtimit të keqpërdorimit të AVL në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?
Grigorjan: Sipas njohurive tona, ka progres të dukshëm në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së punëve të brendshme, në të gjitha nivelet e veprimit. Megjithatë, ajo që është edhe më domethënëse është bashkëpunimi që është vendosur mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën për arritjen e qëllimit të përbashkët, uljen e krimit lidhur me përdorimin e AVL, si dhe lëvizjen e armëve nga Ballkani perëndimor në vendet e Bashkimit Evropian. Këtu dëshiroj të ndaj të dhënat e Platformës së Monitorimit të dhunës së armatosur të SEESAC se në vitin 2021 në territorin e Ballkanit Perëndimor kanë ndodhur 124 incidente me të shtëna në festa. Për më tepër, 76.8% e armëve të përdorura në këto incidente kanë qenë ilegale.
Almakos: Ministër Spasovski, sa shpesh armët me të cilat gjuhet në festa janë ilegale? Çfarë ndërmerr MPB-ja për të reduktuar praninë e armëve ilegale?
Spasovski: Natyrisht se ka raste kur përdoren armë ilegale, edhe pse qëndrimi ynë është i prerë në aspekt të keqpërdorimi të armëve në ahengje dhe festime, e kjo është – zero tolerancë. MPB-ja, në kuadër të njësive organizative kompetente, si pjesë e kompetencave dhe detyrave ligjore, po punon vazhdimisht për zbulimin e rasteve të reja të tregtisë ilegale të armëve, municionit, lëndëve eksplozive dhe të ngjashme. Sa për ilustrim do të theksoj se gjatë këtij viti deri më 31 tetor, në fushën e tregtisë ilegale të armëve janë zbuluar 161 vepra penale dhe janë kallëzuar penalisht gjithsej 167 autorë. Gjithashtu, si rezultat i këtyre veprave penale të zbuluara, janë zbuluar dhe sekuestruar 106 copë armë, 4133 copë municion, 78400 pushkaliqe, 228 fishekzjarre, 541 raketa piroteknike e të tjera. Për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi regjistruar një numër më të vogël të veprave penale – 154, por për shkak të kësaj janë sekuestruar 304 copë armë (nga të cilat 141 granata), 39 kuti municioni dhe 8.503 copë municione, 97.993 pushkaliqe, 913 fishekzjarre, 548 raketa piroteknike dhe të tjera.
Ajo që duhet theksuar është fakti se policia vazhdon aktivitetin e saj hetimor dhe zbulues në këtë segment të tregtisë ilegale të armëve, duke bërë përpjekje shtesë për t’iu qasur këtij krimi nga pikëpamja parandaluese dhe edukative, duke krijuar dhe shfrytëzuar fushata, si ajo aktuale “. Çdo plumb ka një shënjestër! Festo me zemër, jo me armë!”.
Almakos: Zoti Grigorjan, kjo fushatë është fokusuar pikërisht në çrrënjosjen e të shtënave festive si një lloj tradite në këto zona. Ky aktivitet është në fakt pjesë e një sërë fushatash të realizuara në vitet e kaluara me sloganin “Festo me zemër, jo me armë”. A kanë dhënë rezultat?
Grigorjan: Target grupi i fushatave të deritanishme të realizuara ishin burrat e rinj, të cilët janë autorët më të shpeshtë në rastet e regjistruara të të shtënave në festa, kryesisht të shtyrë nga motivi për të treguar maskulinitetin dhe dominimin e tyre. Kësaj radhe kemi shkuar një hap më tej dhe në fushatë kemi përfshirë edhe nxënësit, sepse konsiderojmë se duhet të veprojmë që në moshë të vogël ndaj rreziqeve nga plumbat qorr. Fushata ka edhe komponentë edukative. Për shembull, ne ndamë të dhënat se një plumb qorr mund të përshkojë rreth 2.5 kilometra, madje edhe më shumë, në varësi të kalibrit dhe këndit në të cilin është shkrepur, përpara se të bjerë përsëri në tokë. Me përgjigjet e dhëna nga fushata, ne donim të shkatërronim mitet dhe stereotipet se një plumb i qëlluar në ajër nuk është kërcënim. Mendojmë se është me rëndësi kur një njeri që posedon armë dëgjon nga një ekspert se plumbi i gjuajtur në ajër mund të dëmtojë dikë në afërsi, por edhe dikë që është larg dhe plotësisht i pavetëdijshëm për rrezikun.
Kjo fushatë zbatohet në të njëjtën kohë në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë si pjesë e projektit “Qasja e integruar institucionale ndërkufitare në luftën kundër tregtisë ilegale të armëve dhe armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet me mbështetjen financiare të Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Suedisë, Holandës dhe Norvegjisë përmes Fondit të Mirëbesimit Multipartner, dhe gjithashtu mbështetet nga Bashkimi Evropian.
Rezultati që shohim nga fushatat është ndërgjegjësimi i qytetarëve. Ne do të vazhdojmë me këto fushata, sepse besojmë se në të ardhmen të gjithë qytetarët duhet të njohin dhe dënojnë përdorimin e armëve në festa, për të mbrojtur të afërmit e tyre dhe që këto praktika të rrezikshme të mbeten përgjithmonë në të kaluarën.