VOLTIZA DURO/ Fillimi i verës shënon një rritje të dukshme të rasteve me shqetësime respiratore, sidomos te fëmijët, por gjithnjë e më shpesh edhe te të rriturit.
Temperaturat e larta, qarkullimi i poleneve dhe ekspozimi më i madh ndaj ajrit të jashtëm krijojnë kushte që favorizojnë si përhapjen e alergjive, ashtu edhe të infeksioneve virale. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjekja pediatre Loreta Gjoni shpjegon se simptoma të tilla si rrjedhje hundësh, kollë apo skuqje sysh ngatërrohen shpesh, duke e bërë të vështirë dallimin nëse bëhet fjalë për një alergji sezonale apo një infeksion viral. Ky konfuzion mund të çojë në trajtime të gabuara, shpesh të panevojshme dhe të vonojë ndërhyrjen e duhur mjekësore. Për këtë arsye, njohja e shenjave dalluese mes këtyre dy gjendjeve shëndetësore është thelbësore për të siguruar kujdesin e duhur, shmangur komplikacionet dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e diagnostikimit.
Shumë persona, sidomos fëmijët, po shfaqin simptoma të tilla si kollë, rrjedhje hundësh dhe lodhje. Si mund t’i dallojmë alergjitë nga virozat?
Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që alergjitë dhe virozat, megjithëse kanë simptoma të ngjashme, janë gjendje krejt të ndryshme. Alergjitë janë reagime të sistemit imunitar ndaj substancave të zakonshme në mjedis si poleni, pluhuri, kafshët shtëpiake apo disa ushqime. Ndërsa virozat janë infeksione të shkaktuara nga viruse, që prekin rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe janë të përhapura sidomos në ambiente të mbipopulluara si shkolla, çerdhe apo transporti publik.
Cilat janë simptomat që na ndihmojnë t’i dallojmë alergjitë nga virozat?
Simptomat e alergjisë përfshijnë teshtima të shpeshta, rrjedhje apo bllokim të hundës, kruajtje dhe skuqje të syve, si edhe kollë të thatë, e cila shfaqet më së shumti në mëngjes ose në kontakt me ajrin e ftohtë. Nga ana tjetër, viroza manifestohet me temperaturë të lartë që mund të arrijë deri në 39°C, dhimbje fyti dhe kollë, lodhje të përgjithshme dhe dhimbje trupi, rrjedhje hundësh me mukus më të trashë dhe në disa raste, me të përziera apo diarre.
A ka ndonjë mënyrë të thjeshtë për t’i krahasuar simptomat?
Po, disa dallime janë shumë të qarta: rrjedhja e hundës në rastin e alergjisë është ujore dhe transparente, ndërsa në viroza është më e trashë dhe me mukus. Temperatura është e zakonshme në viroza, por shumë e rrallë në alergji. Kruajtja e syve është shenjë tipike për alergjitë dhe pothuajse mungon te viroza; kolla tek alergjitë është e thatë dhe e zgjatur, ndërsa te virozat mund të jetë e lagësht ose e thatë, ndërkohë që lodhja fizike dhe dhimbjet trupore janë të zakonshme te virozat dhe nuk shfaqen në alergji.
Cilat janë këshillat kryesore për parandalim dhe kujdes në shtëpi për të dyja rastet?
Për alergjitë, rekomandohet që shtëpia të ajroset në orët e hershme të mëngjesit dhe në orët e vona të pasdites, kur niveli i polenit në ajër është më i ulët; të përdoren filtra ajri dhe të shmanget përdorimi i ventilatorëve që përhapin pluhurin; të ndërroni rrobat dhe të laheni pas kthimit nga ambientet e jashtme; të përdorni aspiratorë me filtër HEPA për pastrim dhe nëse është e nevojshme, të konsultoheni me mjekun për përdorimin e antihistaminikëve ose sprejve nazalë antialergjikë. Për virozat është e rëndësishme të lani duart shpesh dhe të përdorni dezinfektues, të shmangni kontaktin e ngushtë me persona të sëmurë, të forconi sistemin imunitar përmes një diete të shëndetshme, pushimit dhe aktivitetit fizik të rregullt, të mos përdorni antibiotikë pa recetë, pasi virozat nuk trajtohen me antibiotikë dhe të përdorni mjete ndihmëse si çajra bimorë, inhalime apo shurupe natyrale, gjithmonë me udhëzimin e mjekut.
Kur duhet të drejtohemi te mjeku?
Duhet të kërkoni ndihmën e mjekut nëse simptomat zgjasin më shumë se 10 ditë, nëse temperatura nuk ulet pas disa ditësh, nëse shfaqen vështirësi në frymëmarrje ose skuqje të lëkurës, apo nëse fëmijët e vegjël nuk pranojnë të hanë, nuk pinë lëngje ose janë dukshëm të lodhur dhe të përgjumur. Këto janë sinjale të rëndësishme që kërkojnë ndërhyrje mjekësore të menjëhershme.
Cili është mesazhi juaj për prindërit dhe kujdestarët?
Kujdesi për shëndetin fillon me informim. Alergjitë dhe virozat janë pjesë e përditshmërisë, por me ndërgjegjësim dhe trajtim të duhur në kohë, ato mund të menaxhohen pa pasoja serioze. Prindërit, kujdestarët, edukatorët dhe çdo qytetar mund të luajnë një rol thelbësor në mbrojtjen e fëmijëve dhe në promovimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të shëndetshëm për të gjithë./Gazeta Panorama