Ambasadorja e Kinës në Tiranë, znj.Pang Chunxue, në një intervistë për gazetën “Panorama” flet për tarifat reciproke të vendosura nga SHBA-të dhe administrata “Trump”.
Zonja Pang u shpreh se “tarifat reciproke” i dëmtojnë të gjithë, hapja e bashkëpunimi mes palëve sjellin përfitime për të gjitha palët. Sipas saj, kjo politikë tregtare e SHBA-ve ka sjellë ndryshime në stabilitetin dhe rendin ekonomik botëror.
Diplomatja kineze përmend se tregtia ndërkombëtare moderne është një bashkëpunim reciprok i bazuar në avantazhe krahasuese dhe jo një lojë e “shumës zero”.
Zj.ambasadore, SHBA-të e kanë kritikuar Kinën për mbajtjen e një suficiti të madh tregtar përmes manipulimit ekonomik, gjë që ka dëmtuar ekuilibrin e ekonomisë botërore. Çfarë mendoni për akuzën “tregti të padrejtë të Kinës”?
Ka suficite dhe deficite tregtare, por nuk është çështje se kush përfiton dhe kush humb. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë. Tregtia ndërkombëtare moderne është një bashkëpunim reciprok i bazuar në avantazhe krahasuese dhe jo një lojë e “shumës zero”. Deficiti tregtar midis Kinës dhe SHBA-ve nuk është vetëm rezultat i pashmangshëm i problemeve strukturore të ekonomisë amerikane, por përcaktohet edhe nga avantazhet krahasuese të të dyja vendeve, edhe nga ndarja ndërkombëtare e punës, dhe lidhet gjithashtu me metodat statistikore. Duke bërë një çështje të deficitit tregtar të mallrave, SHBA-të kanë shtrembëruar realitetin e marrëdhënieve ekonomike Kinë-SHBA.
Thelbi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA është me dobi të ndërsjellë. Vëllimi tregtar midis dy vendeve është rritur nga më pak se 2.5 miliardë dollarë në fillim të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979, në gati 688.3 miliardë dollarë në vitin 2024, duke reflektuar integrimin e thellë dhe plotësueshmërinë e lartë të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve. Industria prodhuese e Kinës u ofron konsumatorëve amerikanë mallra me kosto efektive dhe krijon një numër të madh vendesh pune në industrinë e transportit, shitjes me shumicë, shitjes me pakicë dhe tregtisë elektronike në SHBA. Kina kurrë nuk ndjek qëllimisht një suficit tregtar. SHBA-të ka bërë fitime të mëdha nga tregtia Kinë-SHBA. Eksportet e kompanive amerikane me bazë në Kinë llogariten si suficiti i Kinës dhe SHBA-të gjithashtu mbajnë një suficit të madh në tregtinë e shërbimeve.
Kemi vënë re se edhe udhëheqësit evropianë e kanë kritikuar veprimin e SHBA-ve, duke besuar se do të ketë një ndikim negativ në ekonominë globale, përfshirë edhe Evropën. Cili është këndvështrimi juaj në këtë rast?
SHBA-të kanë vënë interesat e veta mbi të mirën e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar dhe kanë përdorur tarifat si armë për të ushtruar presion maksimal dhe për të kërkuar përfitime egoiste, duke ndërprerë artificialisht zinxhirin origjinal të industrisë dhe të furnizimit global, duke thyer rregullat e tregtisë së lirë të orientuar drejt tregut, duke përmbysur rendin ekzistues ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar, duke ndërhyrë seriozisht në zhvillimin ekonomik të vendeve të ndryshme dhe duke ndikuar në rritjen e qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë botërore, e cila me siguri do të kundërshtohet gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Jo vetëm Kina, por edhe Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe vendet e tjera shpallën shpejt zbatimin e kundër-tarifave për mallrat amerikane. Në fakt, vendosja e tarifave jo vetëm që nuk do të arrijë të ulë deficitin tregtar, por do të kthehet kundër vetë SHBA-ve.
Sipas të dhënave nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, më shumë se 90% e kostove të tarifave do të “paguhen” nga importuesit, bizneset dhe konsumatorët përfundimtarë amerikanë. Kryetari i Rezervës Federale, Powell, deklaroi hapur se masat tarifore të SHBA-ve do të çojnë në “inflacion më të lartë dhe rritje më të ngadaltë”, dhe Goldman Sachs dhe JPMorgan Chase kanë rritur probabilitetin e recesionit të SHBA-ve në 45% dhe 60% përkatësisht. Historia dhe faktet kanë vërtetuar se rritja e tarifave nga SHBA-të nuk mund t’i zgjidhë problemet e veta, por përkundrazi, shkakton luhatje të madhe në tregun financiar, rrit presionin e inflacionit në SHBA, dobëson bazën industriale të SHBA-ve dhe rrit rrezikun e recesionit në SHBA.
Sapo përmendët që Kina ka zbatuar kundër-tarifa. Deri më tani SHBA-të ka vendosur tarifa prej 145% ndaj Kinës dhe Kina ka vendosur tarifa të kundërta prej 125%. Kjo do të thotë që tregtia dypalëshe midis dy vendeve do të bllokohet rëndë. Atëherë çfarë ndikimi do të ketë kjo për ekonominë kineze?
Abuzimi i tarifave nga SHBA-të do të ketë një ndikim negativ në mënyrë të pashmangshme në eksportin e Kinës në periudhë afatshkurtër, duke shtuar presionin negativ mbi ekonominë. Megjithatë, duhet theksuar se Kina është një ekonomi super e madhe me rezistencë të fortë ndaj presionit. Vitet e fundit po ndërtojmë aktivisht një treg të larmishëm dhe varësia jonë ndaj tregut amerikan po bie. Eksportet e Kinës në SHBA kanë rënë nga 19.2% në vitin 2018, në 14.7% në vitin 2024, duke përbërë vetëm rreth 2% të PBB-së së Kinës. Rënia e eksporteve në SHBA nuk do të ketë një ndikim shkatërrues për ekonominë e përgjithshme. Përballë një raundi të ri të presionit ekstrem nga SHBA-të, nga njëra anë zbatojmë kundërmasat dhe mbrojmë interesat tona të sovranitetit, të sigurisë dhe të zhvillimit me vendosmëri.
Nga ana tjetër, jemi të vendosur të bëjmë punën tonë dhe të çlirojmë më tej vitalitetin dhe potencialin super të madh të tregut. Në tremujorin e parë, PBB-ja dhe eksportet e Kinës u rritën përkatësisht me 5.4% dhe 6.9% nga viti në vit, duke reflektuar fuqinë endogjene dhe qëndrueshmërinë e fortë të ekonomisë kineze. Siç ka theksuar Presidenti Xi Jinping, “Ekonomia kineze është një oqean, jo një pellg i vogël”. Ky oqean mund t’u bëjë ballë stuhive dhe t’i rezistojë pushtimit të valëve të ftohta tregtare. Në fund, bota do të dëshmojë qëndrueshmërinë dhe qetësinë e këtij oqeani që “përqafon të gjithë lumenjtë”.
Kohët e fundit, Presidenti Trump deklaroi se shpreson të arrijë një marrëveshje të drejtë me Kinën. Çfarë mendoni ju, zonja ambasadore?
Kina është një qytetërim i lashtë dhe një vend i ndershmërisë dhe drejtësisë. Populli kinez vlerëson sinqeritetin dhe besimin e mirë. Ne nuk provokojmë telashe dhe as nuk frikësohemi prej tyre. Presioni dhe kërcënimet nuk janë mënyra e duhur për të trajtuar Kinën. Kjo luftë tarifore u iniciua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qëndrimi i Kinës është koherent dhe i qartë: nëse do luftë, ne do të luftojmë deri në fund; nëse do bisedë, dera është e hapur. Dialogu dhe negociatat duhet të jenë të barabarta, të respektueshme dhe reciproke. Marrëdhëniet ekonomike Kinë-SHBA duhet të jenë reciprokisht të dobishme dhe me natyrë përfituese. Shtetet e Bashkuara duhet të ecin me aspiratat e përbashkëta të popujve të dy vendeve dhe të botës. Për të mbrojtur interesat themelore të të dyja vendeve, SHBA-të duhet të ndalojë përdorimin e tarifave si armë për të shtypur ekonomikisht Kinën dhe të ndalojë minimin e të drejtave legjitime të zhvillimit të popullit kinez.
Përballë situatës aktuale, çfarë roli mendoni se do të luajë Kina?
Jo shumë kohë më parë, Presidenti Xi Jinping kryesoi me sukses një vizitë shtetërore në Vietnam, Malajzi dhe Kamboxhia. Në rolin e një fuqie të madhe, Kina ka lëshuar një zë të drejtë për të mbrojtur tregtinë e lirë, për të kundërshtuar hegjemoninë e njëanshme dhe për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, gjë që është mirëpritur nga një rezonancë e fortë të të gjitha palëve dhe ka injektuar besim dhe guxim në forcimin e unitetit dhe bashkëpunimit midis vendeve. Presidenti Xi Jinping theksoi se “Deti i globalizimit ekonomik u sjell përfitime të gjitha vendeve dhe asnjë shtet nuk mund të kthehet në një ishull të izoluar. Një barkë e vogël mund të mos i mbijetojë një stuhie të furishme dhe vetëm duke punuar së bashku mund të lundrojmë me qëndrueshmëri drejt objektivave afatgjata”.
Kina është partneri kryesor tregtar i më shumë se 150 vendeve dhe rajoneve në të gjithë botën. Të ecësh me Kinën do të thotë të ecësh me mundësi. Në tremujorin e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë Kinë-Shqipëri arriti në rreth 275 milionë dollarë, një rritje prej 28.91% nga viti në vit dhe Kina renditet vazhdimisht si partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë. Përballë proteksionizmit në rritje, Kina si ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe tregu i dytë më i madh i konsumit të mallrave, do të zgjerojë pa u lëkundur hapjen me standarde të larta, do të bashkohet me vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë, për të mbrojtur fort sistemin tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelbin e tij. Ajo do t’i rezistojë shkëputjes dhe thyerjes së zinxhirit dhe bullizimit tarifor, duke promovuar hapjen, gjithëpërfshirjen, solidaritetin dhe bashkëpunimin. Ne do të punojmë së bashku për të promovuar një botë shumëpolare, të barabartë dhe të rregullt dhe një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës.
/Gazeta Panorama