Këshilli i BE-së nuk i miratoi konkluzionet për “interpretim të gabuar të historisë”, kërkesat bullgare dalin nga parametrat
Konkluzionet për zgjerimin e BE-së me formulimin për interpretim të gabuar të historisë” dje nuk u miratuan nga Këshilli i BE-së, pas bllokadës së Republikës Çeke dhe Sllovakisë, Këto dy vende akuzuan se kjo fjali është e njëjtë me “faksifikimin e historisë” dhe përkujtuan se nuk është punë e BE-së të gjykojë se si identifikohet një vend, e as cilën gjuhë e flet dhe paralajmëruan se fjalia e tillë paraqet precedent të rrezikshëm për procesin e zgjerimit më tej, për të cilin shkak ato nuk janë në mundësi të japin pëlqim për këto konkluzione.
Diplomatët në Bruksel, siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, nuk e mbajnë mend herën e fundit kur viti ka mbaruar pa konkluzione për zgjerimin e BE-së, por pas takimit të sotëm të ambasadorëve, është e sigurt që këtë herë ato nuk do të miratohen, pasi Republika Çeke dhe Sllovakia vlerësuan se teksti shkon shumë larg në ndërhyrjet në kontestet bilaterale.
Pas muajsh të tërë diskutimesh të mundimshme me Bullgarinë për futjen e një paragrafi që thoshte se Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë duhet t’i jepnin fund kërkesave për një “keqinterpretim të historisë”, presidenca gjermane bëri lëshim në fillim të kësaj jave dhe ra dakord të futet fjalia. Edhe pse deri në momentin e fundit ambasadorët menduan se puna ka mbaruar, krerët e diplomacisë çeke dhe sllovake folën dje dhe kërkuan të bllokohen këto konkluzione derisa çështja të debatohet në nivel ministror.
Sipas diplomatëve në Bruksel, kërkesa e Republikës Çeke dhe Sllovakisë nuk u prit me pakënaqësi dhe shprehet mirëkuptim për pozicionin e tyre, përveç në Sofje.
Takimi tjetër, në të cilin do të diskutohet për zgjerimin do të jetë vitin e ardhshëm, nën presidencën portugeze, por tani për tani nuk ka asnjë tregues se në cilën datë do të ndodhë saktësisht.
Atmosfera në qarqet diplomatike në Bruksel është në favor të Maqedonisë së Veriut, ndërsa veçanërisht theksohet fakti që askush nga udhëheqësia e shtetit të Maqedonisë së Veriut nuk ka bërë deklarata provokuese, ndërsa vendi vazhdimisht tregon gatishmëri për dialog dhe kompromis, ndryshe nga Bullgaria, deklaratat provokuese të së cilës për historinë, gjuhën dhe vetëvendosjen nuk kaluan pa u vërejtur.
Diplomatët paralajmërojnë gjithashtu se Bullgaria duhet të sillet “më me kujdes” sepse vetë ajo kërkon të bashkohet me zonën Shengen, për të cilën mund kushtëzohet me sjellje “konstruktive”. Sjellja e Bullgarisë i ka tronditur partnerët evropianë dhe amerikanë, shpresa në Bruksel është se tensionet në Sofje do të qetësohen vitin e ardhshëm.
Presidenti Stevo Pendarovski mbrëmë deklaroi se të gjithë kanë menduar se me ato vërejtje do të mund t’i fillojmë bisedimet.
“Me siguri Bullgaria i mësoi mësimet nga Greqia se, nëse nuk bllokon tani, nuk ka kurrë”, deklaroi Pendarovski.
Vitin e kaluar, theksoi Pendarovski, tha se pala bullgare dalëngadalë filloi ta politizojë punën e Komisionit dhe filluan të vendosin afate se deri ku duhet të përfundojë diçka, që filloi të bëhet simptomatike.
Sipas Pendarovskit, në vitin 2017, 2018 dhe 2019 nuk kishte kurrfarë paralajmërimi nga Bullgaria se do të dalë jashtë Marrëveshjes.
“Kërkesat bullgare muajt e fundit dalin nga parametrat. Është e pakontestueshme kjo”, tha Pendarovski.
Ai sqaroi se ishte propozuar në Komision që si ekspertë të përfshihen ekspertë gjermanë të cilët do të ndihmonin si palë e tretë, por se kjo ishte refuzuar nga ana e Bullgarisë.
“Unë them se ky format në të cilin vetëm historianë bullgarë dhe maqedonas rinë ulur nuk do të prodhojnë rezultate të mira. Derisa nuk përfshihet të paktën një palë e tretë e cila do të ketë status të konsultuesit, nuk do të ketë progres. Ne kemi dhënë edhe propozim që të përfshihen dy ekspertë nga Gjermania, por kjo ishte refuzuar nga Bullgaria deklaroi Pendarovski.
Ne kemi marrëveshje dhe derisa nuk merremi vesh në të se çka do të bëjmë, tha Pendarovski, nuk duhet të ketë ndryshime as të librave, e as të përmendoreve. Theksoi se nga ana jonë do të vazhdojë zbatimi i Marrëveshjes.
Sa i përket Çekisë dhe Sllovakisë të cilat nuk u pajtuan me përfundimet për zgjerimin, Pendarovski tha se është dëgjuar me të dy ambasadorët dhe ka shprehur mirënjohje të madhe.
“Çekia dhe Sllovakia thanë çka thanë dhe e bllokuan propozimin e Gjermanisë. Ne nuk jemi pjesë e atij debati, nuk jemi anëtare. Dje bisedova me dy ambasadorët dhe shpreha mirënjohje të madhe, por megjithatë kjo është për mbrojtjen e tyre, jo tonën”, tha Pendarovski.
Kryeministri Zoran Zaev sot nga Resnja porositi se bisedimet me Bullgarinë vazhdojnë, por potencoi se për identitetin dhe gjuhën maqedonase as nuk negociohet, as nuk bisedohet.
Duke i komentuar reagimet e djeshme nga Sllovakia dhe nga Çekia, Zaev theksoi se i vjen mirë që akoma ka “evropianizëm në BE”.
“Këtë e them me pak hidhërim, sepse nëse dikush ka merituar të marrë mbështetje për hapin e ardhshëm në rrugën drejt BE-së, ajo është Republika e Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas dhe të gjithë qytetarët tanë të cilët jetojnë në vendin tonë. BE-ja nuk guxon t’i humb vlerat dhe parimet evropiane”, tha Zaev.
Ai deklaroi se çdo ditë po punohet në mënjanimin e urrejtjes, duke cekur se dëshiron të dërgojë porosi drejt të gjithëve se bullgarët janë fqinjët tanë, miqtë tanë.
Zaev porositi se ai dhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov duhet të kenë parasysh se çka bëjnë me historinë që e shkruajnë tani.
“Çka u lëmë fëmijëve dhe gjeneratave të ardhshme, të cilat tani presin nga ne. A do t’u lëmë amanet të miqësisë, të vëllazërisë, të bashkësisë, të vlerave evropiane, të ndihmës së ndërsjelltë apo do t’i ndajmë dhe përçajmë sërish, si në kohën e perdes së hekurt”, theksoi Zaev.
Bullgaria nga ana e saj, ka shprehur keqardhje që konkluzionet e Këshillit të BE-së për procesin e asociimit dhe stabilizimit janë bllokuar papritmas nga dy vendet anëtare pa elaborim. “Jemi të gatshëm ta dëgjojmë brengosjen që solli deri te ky vendim dhe t’i vazhdojmë përpjekjet tona për arritjen e konsensusit për zgjerim”, kumtoi të enjten MPJ-ja bullgare.
Vetoja ndaj konkluzioneve të Këshillit, sipas Sofjes zyrtare, bart rrezik që ta minojë besimin e BE-së dhe ta pengojë Unionin t’i dërgojë sinjalet e nevojshme deri te Ballkani Perëndimor për stimulimin e reformave të domosdoshme, që vendet, të cilat dëshirojnë anëtarësim në Union, duhet t’i ndërmarrin.
MPJ-ja bullgare sqaron se konkluzionet e Këshillit të BE-së për zgjerim nuk kanë kurrfarë lidhje me procesin e miratimit në kuadër të negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë.
Ministria çeke e Punëve të Jashtme për “Dojçe Velen” kumtoi se Çekia është thellë e dëshpëruar që nuk ishte miratuar Korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut, me të cilën duhej formalisht të fillojnë bisedimet për anëtarësim me BE-në.
Prej aty, siç informoi Dojçe Vele, megjithatë, sqarojnë se nuk kanë për qëllim të lejojnë që të miratohen përfundimet me pjesën për “interpretimin e gabuar të historisë” për të cilën insistonte Bullgaria, ndërsa kryesuesja Gjermania i vazhdoi. Me këtë rast, prej atje thonë se edhe shtete të tjera anëtare të BE-së kanë shfaqur shqetësim për shkak të përfundimeve.
“Republika Çeke gjithmonë ishte mbështetëse e vazhdueshme e politikës së zgjerimit në 16 vitet e fundit. Këto nuk janë ndryshime me këtë vendim. Megjithatë, pas shqyrtimit me kujdes, nuk mundëm të japim leje për draftin e prezantuar për miratim”, thonë në Pragë.
Sipas Ministrisë, qëllimi kryesor është që të miratohet Korniza negociuese sa më shpejtë.
“Megjithatë, teksti i tanishëm mund të ketë efekt të kundërt. Sipas pikëpamjes sonë, ai përmban terme për falsifikim të historisë që mund të ishin të dëmshme për procesin e zgjerimit”, thonë nga MPJ çeke.
Në Pragë konsiderojnë se kontestin bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet ta zgjidhin të dyja vendet, e jo të jetë pjesë e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Shtojnë se edhe vende të tjera, gjithashtu, e kanë shfaqur shqetësimin e tyre. “Duke e pasur parasysh gjithë këtë, ne jemi të mendimit se miratimi përfundimtar i tekstit duhet të ndodhë Këshillin e ardhshëm për punë të përgjithshme. Në mënyrë shtesë, thellë jemi të dëshpëruar që Korniza negociuese, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë nuk ishte miratuar. Plotësisht i mbështesim dy draftet të cilat dolën nga puna e mundimshme e presidencës gjermane, theksojnë nga MPJ çeke.
Qëndrimi kontestues për shkak të të cilit kishte bllokadë të plotë të konkluzioneve të presidencës gjermane me BE-në sa i përket zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, gjendet në nenin 8 të Draft-versionit të cilin e kundërshtuan Çekia dhe Sllovakia, ndërsa në të cilin thuhet “Këshilli përkujton Marrëveshjen e Prespës mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe e thekson rëndësinë e zbatimit të tyre të vazhdueshëm. Këto dy hapa të mëdhenj do të duhet tu japin fund efektiv të gjitha kërkesave të bazuara në interpretimin e gabuar të historisë”.
Kryetari i ekipit të ekspertëve nga Maqedonia e Veriut në Komisionin e përbashkët Maqedoni e Veriut-Bullgari për çështjet historike dhe arsimore, Dragi Gjorgiev, për formulimin “keqinterpretimi i historisë” që me kërkesë të Bullgarisë do të përfshihet në konkluzionet e zgjerimit të BE-së, ndërsa të cilat sot nuk u miratuan nga Këshilli i BE-së, thotë se ky është një formulim që i degradon vlerat e Unionit dhe se është e paqartë se kudh do të vlerësojë se çka është inteporetim i gabuar apo i drejtë i historisë.
Gjorgiev tha se nuk është tepër optimist për një përparim në bisedimet midis dy vendeve së shpejti.
“Unë nuk jam shumë i bindur bazuar në ato që dëgjojmë në deklaratat e politikanëve bullgarë. Nga ai aspekt, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të bësh një përparim në këtë moment për fillimin e negociatave, mbase në një të ardhme të caktuar, po, por në këtë moment nuk jam shumë optimist”, vlerësoi ai.
Lidhur me frazën “histori e përbashkët”, shpjegoi se problemi nuk është termi “histori e përbashkët”, por interpretimi i tij në punën e Komisionit.
Ai vlerëson se edhe muajt dhe ngjarjet e fundit kanë treguar se fatkeqësisht politika mund dhe ndikon në punën e Komisionit. Jo, siç thotë ai, politika drejtpërdrejt, por opinioni shoqëror që krijohet nga deklaratat politike në kontekstin e punës së Komisionit.
“Në shoqëritë këtu dhe në Bullgari krijohen tensione dhe situata në të cilat puna e Komisionit është e përfshirë në mënyrë të pashmangshme dhe individualisht disa anëtarë etiketohen ose jepen mendime rreth tyre, dhe e gjithë kjo ndikon në mënyrë të pashmangshme në punën e Komisionit, ndërsa indirekt po, ky është Komision i qeverive dhe në mënyrë të pashmangshme ka përpjekje në një farë mënyre që politika të arrijë qëllimet e saj, por ne përpiqemi ta lëmë mënjanë politikën sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që ky Komision të punojë në nivel akademik”, tha Gjorgiev.
Takimi i ardhshëm i Komisionit të përbashkët maqedonaso-bullgar është caktuar për në shkurt të vitit të ardhshëm.




