Zikaltrit po projektojnë një rinim të ekipit të tyre dhe kërkojnë elementë në moshë të re për të zëvendësuar disa prej “veteranëve” në radhët e klubit. Duket se për të arritur objektivat e merkatos, si zakonisht Interi mendon të ulë shpenzimet dhe për këtë arsye, do të përdorë Asllanin mes emrave të propozuar si “mall shkëmbimi”.
Mediat italiane raportojnë se që tani futbollisti shqiptar është propozuar si pjesë e një “pakete” për të siguruar firmën e Samuele Riçit nga Torino. Zikaltrit i kanë ofruar Torinos kartonin e Asllanit plus 10 milionë euro.
Por ata kanë marrë një refuzim si përgjigje, pasi klubi torinez nuk është i interesuar për paketa që përfshijnë kartonin e futbollistëve. Ata kërkojnë vetëm para për Riçin, i cili është kthyer në një nga mesfushorët më të ndjekur në futbollin europian falë paraqitjeve të tij, i monitoruar edhe nga klubet e mëdha jashtë Italisë.