Interi do të luajë me fanellën e tretë, me ngjyrë të verdhë të artë, në finalen e Ligës së Kampionëve 2025 kundër Paris Saint-Germain. Kjo është hera e parë në historinë e klubit që Interi zgjedh të veshë fanellën e tretë në një finale të tillë.
PSG, si skuadër vendase në këtë finale që zhvillohet në Mynih, do të luajë me fanellën e saj tradicionale blu. Për të shmangur përplasjen e ngjyrave, Interi nuk mund të përdorë fanellën e tij të zakonshme “nerazzurra” (blu e zezë) dhe ka vendosur të mos përdorë as fanellën e bardhë, që është e dyta në radhë .
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, lojtarët e Interit kanë zgjedhur fanellën e verdhë për arsye supersticioze. E vetmja humbje e tyre në këtë edicion të Ligës së Kampionëve ndodhi kur ata veshën fanellën e bardhë kundër Bayer Leverkusen në dhjetor. Ndërkohë, me fanellën e verdhë, ata kanë arritur shtatë fitore, përfshirë ndeshjet kundër Sparta Pragës, Feyenoordit dhe fitoren emocionuese 4-3 kundër Barcelonës.
Fanella e verdhë me detaje të zeza është frymëzuar nga arkitektura e Milanos, duke i dhënë një prekje unike dhe simbolike për këtë ndeshje të rëndësishme .
Kjo zgjedhje e fanellës së tretë për një finale të Ligës së Kampionëve është një hap i pazakontë për Interin, por me historinë pozitive që kanë pasur me këtë fanellë gjatë këtij sezoni, shpresojnë që t’u sjellë fat edhe në finalen kundër PSG-së.