Drejtuesit e ndërmarrjes publike për transport urban në Shkup nuk pranojnë të flasin për praninë e grafiteve me përmbajtje antishqiptare në autobusët urban që lëvizin nëpër mjedise shqiptare në Shkup, të tipit, “Vdekje Shqiptarëve” dhe “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”. Gazetari i Almakos ka regjistruar këto grafitë në ulëset e autobusit urban të linjës 51, që qarkullon në Studeniçan të Karshiakës, njofton Almakos.
Drejtuesit e kësaj ndërmarrje publike një javë kanë injoruar kërkesën e Almakos për të sqaruar se çfarë kanë ndërmarrë për të luftuar përhapjen e gjuhës së urrejtjes nëpër autobusët e tyre dhe nëse i kanë identifikuar dhe paraqitur autorët e këtyre grafiteve antishqiptare ne polici dhe prokurori.
Në Kodin penal të Maqedonisë nxitja e urrejtjes etnike është e definuar si vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burgim prej një deri në pesë vite. Jo vetëm kaq, në nenin 319 të Kodit penal, personi zyrtarë, në rastin konkret, drejtuesit e ndërmarrjes publike, që nuk denoncojnë gjuhën e urrejtjes dhe nëse për shkak të kësaj shkaktohen trazira apo lëndohen persona të tjerë, mund të dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vite.
Përkujtojmë se viteve të kaluara të shpeshta kanë qenë sulmet e shovinisteve maqedonas ndaj nxënësve shqiptar nëpër autobusët urban në Shkup. Këto sulme nuk janë zbardhur kurrë, ndërsa dhunuesit kanë kaluar të pandëshkuar për lëndimet e rënda fizike të shkaktuara ndaj nxënësve shqiptar. Mos reagimi i institucioneve ndaj grafiteve raciste kundër shqiptare në hapësira publike, mund të motivojë të rinjtë maqedonas të vazhdojnë sulmet kundër moshatarëve të tyre shqiptar.
Nga Ministria e Brendshme në Shkup thonë se nuk ka pasur ankesa për grafitë të me përmbajtje nacionaliste.
“Ju njoftojmë se në Sektorin e Punëve të Brendshme- Shkup gjatë periudhës Janar-Shkurt 2018 nuk ka arritur asnjë ankesë për mbishkrimet dhe grafitë nacionaliste nëpër autobusët urban të NQP-së”, thonë nga policia.
Ky qëndrim i papërgjegjshëm i policisë nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm si nxitje për autorët që të vazhdojnë të shkarraviten grafitë me përmbajtje raciste kundër shqiptarëve. Roli kryesor i policisë është jo vetëm të ndëshkojë krimin, por edhe të parandalojë atë. Nëse nuk ka pasur ankesa, kjo nuk do të thotë se grafitet nuk ekzistojnë dhe është obligim i tyre ligjor t’i zbulojnë dhe t’i ndëshkojnë autorët.
Avokati i popullit, Ixhet Memeti dënon praninë e gjuhës së urrejtjes dhe kërkon institucionet të përkushtohen më shumë për t’i dënuar autorët.
“Duhet institucionet të jenë më të kujdesshme dhe për veprime të tilla devijuese të cilat jo vetëm që janë të ndëshkueshme por edhe i sjellin dëm shoqërisë sonë sa i përket ndasive etnike. Ata vepra duhet të trajtohen, autorët që përhapin gjuhë të urrejtjes të ndëshkohen”, tha Memeti për Almakos.
Sipas tij, paradoksale është se ata institucione që duhet ta luftojnë gjuhën e urrejtjes, e përdorin atë për qëllime politike.
“Kërkoj nga institucionet të marrin masa të vazhdueshme në këtë drejtim. Që tek opinioni të krijohet bindja që ai i cili ndjell urrejtje duhet edhe të ndëshkohet.
Për grafitet anti-shqiptare nëpër autobusët urban nuk ka reaguar as Prokuroria Publike, me të cilën Almakos tentoj të kontakoj gjatë ditës disa herë.
Ndërmarrja publike e transportit urban është në kompetencë të qytetit të Shkupit, ndërsa në Këshillit e tij ulen gjashtë shqiptare, tre të partisë BDI, dy të Besës dhe një i Aleancës për Shqiptarët. Ata asnjëherë deri tani nuk kanë ngritur këtë problem në Këshillin e qytetit edhe pse në hapësira publike të kryeqytetit shpesh janë shkruar grafite me përmbajtje anti-shqiptare. Përveç kësaj, BDI është në koalicion me Lidhjen Socialdemokrate, nga radhët e të cilës është zgjedhur edhe drejtori i Ndërmarrjes Publike, i cili toleron grafitet antishqiptare nëpër autobus. Kjo do të thotë se për grafitet antishqiptare nëpër autobus përgjegjës janë edhe përfaqësuesit e BDI.
Mevludin Imeri
Almakos