Institucionet në Republikën e Maqedonisë, me vite tolerojnë dhunën ndaj grupeve të margjinalizuara në Maqedoni. Këtë më së miri e dëshmon mosndëshkimi i autorëve të sulmeve kundër komunitetit të LGBTI-së.
Edhe pse kanë kaluar gjithsej 5 vite që kur persona deri më tani të panjohur kanë demoluar Qendrën e komunitetit LGBTI në Çarshi të Vjetër, nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se ende po hetohet rasti, duke e hedhur përgjegjësin te Prokuroria Publike.
‘’Sektori për Punë të Brendshme-Shkup ka qenë në vendngjarje dhe janë marrë masa për ta zbardhur plotësisht çështjen,’’ thonë nga MPB.
Komuniteti LGBTI-së në Shkup, i bënë thirrje Prokurorit Jove Vangelovski, që t’i qaset seriozisht rasteve që kanë të bëjnë me këtë komunitet dhe shtojnë se deri më tani nuk kanë informacione nëse ka mbaruar hetimi për ndonjë rast të inicuar, edhe pse kanë dërguar prova. Shpresat për zbardhjen e rasteve nga ky Komitet i kanë hedhur mbi Qeverinë e re.
‘’Ne shpresojmë dhe presim që me ardhjen e prokurorit të ri të shtetit, hetimet do të rihapen dhe do të arrihet një konkluzion përfundimtar ligjor. Ne i bëjmë thirrje Prokurorit Publik të Shtetit që seriozisht të kushtojë vëmendje për pastrimin e këtyre rasteve, sepse kapacitetet demokratike të një shoqërie maten me mënyrën se si shoqëria merret me grupe të margjinalizuara si komuniteti LGBTI,’’ ka deklaruar Ivan Menkinoski nga Qendra e komunitetit LGBTI në Shkup.
Ata nuk komentojnë nëse pas hetimit lidhur me sulmet ndaj tyre ka prapa-vijë politike, por megjithatë deklarojnë se edhe pse prokuroria ka prova material në dispozicion edhe pas 6 viteve ende nuk është bërë asgjë.
”Është fakt se sulmuesit nuk janë identifikuar për gjashtë vjet pas sulmit të parë, edhe pse prokuroria ka prova materiale të disponueshme, ” thonë nga ky Komunitet.
Në vitin 2013, një grup i qytetarëve të revoltuar për hapjen e zyrës së komunitetit të LGBTI-së në Çarshi të Vjetër me mbështetje të Komitetit të Helsinkit dhe Ambasadës Holandeze, kanë tentuar që t’i sulmojnë anëtarët e këtij komuniteti. Dhjetë ditë më vonë një grup i maskuar ka demoluar zyrën.
Sipas të dhënave të fundit nga MPB, në periudhë nga viti 2013 deri në vitin 2016 janë regjistruar gjithsej 6 sulme ndaj anëtarëve dhe objektit të LGBTI-së deri më tani asnjë nuk është zbardhur. Në vitin 2017 sulmet kanë pushuar.
Aktivist nga OJQ-të përfaqësuese të komunitetit të LGBTI-së në Maqedoni, të revoltuar në vitin 2013 kanë protestuar çdo të etje para Prokurorisë Themelore Publike, duke kërkuar që të bëhet ndëshkim i sulmuesve të këtij komuniteti.
Arbnora Memeti
Almakos