Burimi: BIRN
Dy institucionet fetare më të mëdha në Maqedoninë e Veriut kanë shkelur prej vitesh detyrimin ligjor për të dorëzuar raporte financiare vjetore – tregon një hetim disa mujor i BIRN.
Sipas të dhënave të siguruara nga ky hetim, Kisha Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit ka dorëzuar vetëm një raport financiar në Regjistrin Qendror të shtetit gjatë periudhës 2010–2023. Edhe ky raport i vetëm nuk përmbante të dhëna për të ardhurat e Kishës.
Ndërkohë, Bashkësia Fetare Islame, gjatë të njëjtës periudhë nuk ka dorëzuar asnjë raport financiar.
Në Maqedoninë e Veriut, çdo subjekt juridik është i detyruar me ligj të dorëzojë një raport financiar vjetor pranë Regjistrit Qendror, ndërsa pagesat e pagave dhe tatimet përkatëse kalojnë përmes Entit për të Ardhura Publike (PRO). Mosrespektimi i këtij detyrimi mund të sjellë edhe gjobë.
Edhe pse komunitetet fetare regjistrohen sipas Ligjit për Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare, obligimet e tyre fiskale rregullohen përmes Ligjit për Kontabilitetin e Organizatave Jofitimprurëse.
Ky zbulim ngre pyetje serioze mbi transparencën financiare dhe barazinë tatimore në vend, duke vënë në pah një praktikë të gjatë të mungesës së llogaridhënies nga ana e institucioneve me ndikim të gjerë shoqëror.