Gjiganti i rrjeteve sociale “Meta” ka vendosur t’ua ndalojë adoleshentëve të lëshojnë video-live në Instagram. Nën 16-vjeçarët duhet të marrin leje nga prindërit për ta lëshuar livein në Instagram, transmeton The Guardian.
Ndryshimet janë vetëm pjesë e një serie masash që Facebooku dhe Messengeri po marrin për t’i mbrojtur të rinjtë. Llogaritë e adoleshentëve nga viti i shkuar kanë një sistem që u kërkon të marrin leje nga prindërit për të caktuar kohën sa mund të jenë aktivë në rrjete sociale, për t’i bllokuar adoleshentët prej përdorimit të Instagramit dhe për të parë llogaritë me të cilat fëmijët e tyre shkëmbejnë mesazhe.
Masat për llogaritë e adoleshentëve në Facebook dhe Messenger do të fillojnë të zbatohen paraprakisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Australi, dhe Kanada.
Ndërkaq, sa i përket llogarive të Instagramit, përdoruesve nën moshën 16-vjeçare iu kërkohet leja prindërore për të ndryshuar parametrat (settings), teksa përdoruesit mbi moshën 16-vjeçare do të lejohen t’i ndryshojnë ato në mënyrë të pavarur.
Lajmërimi vjen në kohën kur në Britani të Madhe, në kuadër të ligjit për sigurinë online, shërbimeve të mëdha u kërkohet të ndërmarrin hapa shtesë për të parandaluar shfaqjen e përmbajtjes së jashtëligjshme siç është abuzimi seksual i fëmijëve, mashtrimi dhe materialet terroriste, ose ta heqin atë nëse publikohet.