Inspektorati i Përgjithshëm ka mbikëqyrur kontrollet e zhvilluara në Kukës nga inspektorët e mjedisit dhe ata të shëndetësisë, në kuadër të verifikimeve ndaj subjekteve private.
Një nga subjektet e kontrolluara ishte një dyqan i rrjetit EHW, që ushtron aktivitet në shitjen me pakicë të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore.
Po ashtu, inspektime janë kryer edhe në dy subjekte që operojnë në fushën e prodhimit dhe përpunimit të materialeve inerte.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve është verifikuar zbatimi i procedurave ligjore nga inspektorët, dokumentacioni përkatës, mënyra e raportimit të të dhënave, si dhe përdorimi i pajisjeve dhe mjeteve të identifikimit zyrtar.
Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha gjetjet do të përfshihen në raportin përfundimtar të Inspektoratit të Përgjithshëm, me qëllim përmirësimin e standardeve dhe rritjen e llogaridhënies së trupave inspektuese.


