Vazhdojnë sulmet e pushtetit qendror mbi shtëpinë botuese Logos-A. Ashtu siç informojnë nga kjo shtëpi botuese për portalin Almakos, gjatë ditës së sotme inspektorët financiarë, kanë kërkuar nga shërbimi i kontabilitetit të Logosit të dhëna për transaksionet e realizuara. Mirëpo nga kjo shtëpi shprehen se megjithëse pretendimet e pushtetit për të gjetur çfarëdo qoftë parregullsi, Logos-A, në fund do të del e pastërt para ligjit.
“Me këtë rast SHB “Logos-A” – Shkup e njofton opinionin se presionet e pushtetit kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe këto ditë. Kështu edhe sot inspektorët financiarë, të cilët kanë kërkuar nga shërbimi i kontabilitetit të Logosit të dhëna për transaksionet e realizuara. Ndonëse jemi të sigurt se ata dhe askush tjetër nuk do të gjejë asnjë shkelje ligjore, ne jemi të bindur se kjo nuk bëhet për arsye ligjore, madje as vetëm që të ushtrohet presion politik, por aq më shumë që ato dokumente që sot merren në mënyrë zyrtare, nesër të përdoren nga parti të caktuara politike për hesape politike. Prandaj, e njoftojmë opinionin se partia shqiptare në pushtet po abuzon me institucionet e shtetit, në mënyrë që të përfitojë politikisht. Andaj, çdo publikim që në të ardhmen do të vijë si akuzë e saj ndaj ndonjë partie tjetër politike ose ndaj drejtuesve të Logosit për qërim hesapesh politike, është abuzim me institucionet, sepse këto dokumente janë marrë nga ne me arsyetimin se po bëhen kontrolle zyrtare e jo se ato do të përdoren për përfitime politike”, thonë për Almakos, nga SH.B. Logos-A.
Në ndërkoh Logos-A ka falënderuar në formë publike gjithë mediumet dhe personalitetet e ndryshme për mbështetjen e dhënë ndaj kësaj shtëpie.
“Fakti që ka pasur qindra mbështetje nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe më gjerë, flet në të mirë të vlerës së librit dhe të fjalës së shkruar, ndërsa është mirënjohje e lartë edhe për punën dhe kontributin e SHB “Logos-A”. Pas mbështetjes që këto ditë ka ardhur për SHB Logos-A, që erdhi si rezultat i presioneve që i bëhet Logosit nga pushteti, SHB “Logos-A” – Shkup i falënderon të gjithë ata dashamirë të librit dhe, në përgjithësi, të Logosit, për mbështetjen e dhënë”, kështu përfundon prononcimi i Logos-A për portalin Almakos.