Profesori i Fakultetit të Shkencave Teknike pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Blerant Ramadani, ka shkëlqyer në konferencën prestigjioze shkencore OSMSES në Gjermani, duke prezantuar një projekt vizionar që premton të ndryshojë të ardhmen e energjetikës.
Ngjarja u organizua nga IEEE, organizata më e madhe e inxhinierëve në botë, dhe u mikprit nga Karlsruhe Institute of Technology (KIT) — një nga qendrat më të fuqishme të kërkimit teknologjik në Evropë, përcjell INA.
Punimi kërkimor i Ramadanit, i titulluar “Physics-Informed Digital Twin: An Environment for the Pre-deployment Validation of LSTM for Wind Power Forecasting”, ofron një zgjidhje teknologjike të nivelit të lartë. Ai propozon krijimin e një “Binjaku Digjital”, i cili përdor Inteligjencën Artificiale për të parashikuar me saktësi maksimale prodhimin e energjisë nga era.
Ky inovacion është jetik për tranzicionin global drejt energjisë së gjelbër, pasi optimizon burimet natyrore dhe rrit sigurinë e rrjeteve energjetike përpara se teknologjia të zbatohet në terren.
Përveç peshës shkencore, Prof. Ramadani shprehu përkushtimin e tij për transferimin e kësaj dijeje në procesin mësimor akademik.
“Inovacioni shkencor nuk njeh kufij. Tani, detyrimi ynë është që këtë vizion dhe ekspertizë botërore t’i kthejmë në vlerë reale akademike për auditoret tona dhe për gjeneratën e re të inxhinierëve,” deklaroi Ramadani.(INA)


