Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë, në koordinim me Fondin për Ballkanin Perëndimor (FBP), sot në Shkup do të mbajë Info-sesion zyrtar për thirrjen e parë të publikuar për përkrahje të projekteve. Siç informojnë nga MPJ-ja, qëllimi i info-sesionit, i cili mbahet në kuadër të thirrjes, do të jetë njoftimi më i hollësishëm me drejtimet dhe rregullat për aplikim, si dhe kriteret e përgjithshme dhe vlerat të cilat priten nga aplikuesit. Thirrja për përkrahje të projekteve për organizatat joprofitabile, në pajtim me statustin dhe qëllimet e Fondit u shpall më 15 nëntor, ndërsa afati i fundit për parashtrimin e tyre është 22 dhjetor i vitit 2017.
FBP me seli në Tiranë, është iniciativë rajonale e formuar me vendim të përbashkët të minsitrive të punëve të jashtme të gjashtë shteteve nga Ballkani perëndimor (Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, BeH dhe Mali i Zi) në vitin 2015. Qëllimi kryesor i Fondit është zhvillimi i bashkëpunimit mes vendeve anëtare, përforcimi i marrëdhënieve dhe kohezionit rajonal, si dhe avancimi i integrimit në BE përmes përkrahjes së projekteve të përbashkëta rajonale.