Pas njëmbëdhjetë muajsh trajnimi, bashkëpunimi ndërkufitar dhe prodhimit të përmbajtjeve digjitale, Instituti për Media dhe Analitikë IMA në partneritet me OJQ Esperanca – Qendra Bot;rore Kulturore e përfunduan fushatën rajonale digjitale “Lufta Kundër Dezinformatave – Luftë për Demokraci”. Iniciativa, e mbështetur nga Fondi i Kulturës së Solidaritetit i mundësuar nga Fondacioni Kulturor Evropian, mobilizoi influencues të rinj nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor për të sfiduar përhapjen e dezinformatave dhe urrejtjes onlajn dhe në mediat sociale.
Kjo iniciativë filloi me një ide të thjeshtë, por ambicioze: fuqizimin e të rinjve për të folur hapur, për të ndërprerë narrativët e dëmshëm dhe për të bërë të vërtetën të dukshme në hapësirat digjitale ku manipulimi shpesh përhapet më shpejt se faktet.
Gjatë projektit, IMA ofroi mini-grante, mentorim, mbështetje për hulumtim dhe trajnime të përshtatura për dymbëdhjetë krijues nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. Çdo influencues prodhoi përmbajtje të larmishme – seri videosh, formate të shkurtra edukative, intervista, sondazhe në rrugë, podkaste dhe reels – të publikuara në Instagram, TikTok, Facebook, YouTube dhe X, dhe të rishpërndara përmes platformave onlajn të IMA-s.
Përmbajtja e prodhuar gjatë gjithë iniciativës tani formon një mozaik të fuqishëm rajonal të tregimeve personale, reflektimeve kritike dhe guximit qytetar për të luftuar dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes. Fushata tregoi se gjuha e urrejtjes – në internet ose në hapësirat publike – formëson vlerat e brezit të ardhshëm dhe se fjalët kanë pasoja reale, ndërsa empatia, solidariteti dhe aktet e vogla të mirësisë mund të kundërshtojnë manipulimin dhe polarizimin. Krijuesit i bënë me dije publikut se të qenit i informuar është një akt lirie dhe se mendimi kritik mbron zgjedhjen demokratike, duke theksuar se si përçarjet onlajn shpesh prodhohen qëllimisht për të ndikuar në opinionin publik.
Përmes rrëfimeve personale dhe bisedave në podkaste mbi identitetin, diskriminimin dhe grupet e prekshme, ata demonstruan se si të qenit i hapur mund të nxisë solidaritetin. Ata theksuan se kërkesat për transparencë dhe llogaridhënie nuk janë një anim politik, por një e drejtë demokratike. Duke hedhur poshtë teoritë e konspiracionit me prova, ata treguan se kureshtja dhe mendimi kritik janë mbrojtje thelbësore kundër të pavërtetave. Diskutimet mbi barazinë nënvizuan se lëvizjet për drejtësi sociale nuk e kërcënojnë por e forcojnë shoqërinë, dhe çdo tregim i ndarë me të tjerët, sado i vogël, kontribuon në qëndrueshmërinë demokratike.
Daniela Antiçiq — paralajmëron se gjuha e urrejtjes, qoftë në internet ose në muret tona, e formëson brezin e ardhshëm, andaj na nxit që të përdorim fjalë që mbrojnë, e jo që dëmtojnë.
Fatlum Jashari — thekson se gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat i dëmtojnë individët dhe komunitetet, prandaj ai i nxit të gjithë që të verifikojnë para se të shpërndajnë dhe të mbrojnë të vërtetën.
Edja Feçanji — argumenton se sulmet ndaj grave ose heshtja e tyre onlajn dëmton demokracinë dhe se ballafaqimi me dezinformimin, gjuhën e urrejtjes dhe stereotipet seksiste fillon me respektin.
Bakir Çustoviq —thotë se dezinformimi në Ballkan është një armë politike që përçan dhe kontrollon, andaj ai thërret që të kontrollohen burimet dhe verifikohen faktet për të mbrojtur të ardhmen e rajonit.
Marko Vuleviq —këmbëngul se barazia gjinore nuk është vetëm një çështje e grave dhe u bën thirrje burrave të jenë feministë sepse respekti dhe mundësitë e barabarta u sjellin dobi të gjithëve.
Irisa Nazari — nënvizon se liria e shprehjes është esenciale, por fjalët kanë peshë, prandaj në internet duhet ta dimë vijën ndarëse midis lirisë së fjalës dhe dëmeve që mund të shkaktohen dhe t’i zgjedhim fjalët me kujdes.
Martina Dimoska —tregon se teoritë e konspiracionit përhapen më shpejt se faktet dhe, duke demaskuar mitet për zbritjen në Hënë, demonstron se si faktet, provat dhe të menduarit kritik mund t’u kundërvihen konspiracioneve.
Shkodran Hoti —thekson diskriminimin ndaj komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë dhe bën thirrje për përdorim të një gjuhë respektuese që njeh kontributet e tyre dhe ndërton shoqëri ku të gjithë vlerësohen në mënyrë të barabartë.
Xhesjana Brahimi —na kujton se informacionet e pavërteta përhapen shpejt, por secili prej nesh mund t’i ndalojë duke kontrolluar burimin përpara se ta shpërndajë dhe duke zgjedhur të jetë pjesë e zgjidhjes.
Nemanja Zhiviq — ngre shqetësimin se protestat paqësore në Serbi janë përballur me taktika që shkelin të drejtat e njeriut, duke theksuar nevojën për llogaridhënie, transparencë dhe të drejtën për të protestuar pa frikë.
Izabela Jakimova — argumenton se nuk ekziston diçka e tillë si një “koment urrejtës kreativ” që edhe kur maskohet si humor dëmton njerëz të vërtetë, dhe bën thirrje për empati dhe përdorje të një gjuhe të kujdesshme për të ndërtuar hapësirë onlajn më të shëndetshme.
Valentina Ostojiq — shpjegon se fakti që 69% e malazezëve të moshës 24-34 vjeç jetojnë me prindërit pasqyron vështirësitë sistemike ekonomike dhe pabarazinë në banim, duke e bërë pavarësinë një privilegj, e jo një zgjedhje.
Së bashku, zërat e tyre arritën deri te dhjetëra mijëra të rinj në të gjithë rajonin. Më e rëndësishmja, ata i riformësuan bisedat onlajn. Në vend që të reagonin ndaj urrejtjes, ata gjeneruan narrativa të reja të rrënjosura në të vërtetën, empatinë, provat dhe vlerat e përbashkëta demokratike.
Iniciativa tregon se dezinformimi në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm i motivuar politikisht; ai ndikon në identitetin, shëndetin mendor dhe kohezionin shoqëror. Duke i vendosur krijuesit e rinj në qendër, projekti transformon konsumin pasiv të mediave sociale në qytetari aktive.
Iniciativa “Lufta kundër Dezinformatave – Luftë për Demokraci” e përforcon misionin e IMA-s për të lidhur hulumtimet, arsimimin mediatik, përmbajtjet multimediale dhe fuqizimin e të rinjve në mënyrë që të kundërshtojnë manipulimin dhe të ndërtojnë hapësira digjitale ku dialogu zëvendëson armiqësinë.
—
Ky projekt u mundësua falë mbështetjes financiare të Fondit të Kulturës së Solidaritetit, i mundësuar nga Fondacioni Kulturor Evropian




