Ministri Bekteshi ka thënë se beson që ky ligj do të hyjë në fuqi deri në fund të janarit.
“Ligji do t’i rregullojë kushtet dhe mënyrën se si do të ushtrohet tregtia me produkte bujqësore dhe ushqimore”, ka theksuar ministri Bekteshi.
Ai ka theksuar se rritja e pagës minimale dhe asaj mesatare në aspektin procentual është më e lartë se rritja e inflacionit.
Por, me këtë nuk pajtohen nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Sindikalistët theksojnë se shpenzimet për një familje me katër anëtarë janë rritur për më shumë se 200 euro. Përkatësisht, shpenzimet për një familje 4-anëtarëshe në dhjetor të vitit 2023 krahasuar me dhjetorin e vitit 2022, janë rritur për 13 mijë e 359 denarë (rreth 220 euro).
Arben Halili, ekspert i ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se për t’u ndalur trendi i rritjes së shkallës së inflacionit, fokusi duhet vënë në zhvillimin e ekonomisë.
“Në radhë të parë duhet kuptuar se rritja e pagës minimale dhe asaj mesatare nuk është në proporcion me rritjen e çmimeve, respektivisht me shkallën e inflacionit në vend. Përkatësisht, edhe kundrejt uljes së inflacionit që ishte dyshifror gjatë krizës së pandemisë, nuk kemi kurrfarë ulje të çmimeve të konsumit të gjerë. Prandaj, me shumë të drejtë qytetarët ankohen se edhe kundrejt rritjes së pagave, ne nuk kemi ulje të çmimeve, e aq më pak mund të pretendojmë për një konsum të qëndrueshëm, i cili do të mbulohej nga efekti pozitiv i rritjes së pagës minimale”, vlerëson Halili.