As Prokuroria Publike dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë detaje për motivin që solli deri tek incidenti me armë zjarri në Reçic të Tetovës edhe pse tashmë kanë kaluar më shumë se 16 orë, incident ky bilanci i të cilit ishte me një viktimë dhe dy të plagosur me plagë më serioze.
“ Më datë 5.04.2018 rreth orës 18:20 ka pasur të paraqitur të shtëna me armë zjarri në lagjën Reçicë e Vogël në Tetovë. Të lënduar kanë qenë N.R (46) nga fshati Bellanoc i Komunës së Likovës, i cili në Spitalin klinik në Tetovë është konstatuar se ka ndërruar jetë, F.M (22) nga fshati Çerkez i Kumanovës i cili është dërguar në qendrën urgjente në Kliniken “ Nënë Tereza”, në Shkup, si dhe S.R (41) gjithashtu nga fshati Bellanoc, Komuna e Likovës, i cili është mbajtur në Spitalin e Tetovës. Të arrestuar janë katër persona të cilët po mbahen në Sektorin për Punë të Brendshme- Tetovë, për procedurat e mëtejshme. Ekspertizë në vendngjarje ka kryer edhe Prokurori Publik dhe ekipi i SPB- Tetovë, të cilët kanë gjetur gjurmë gjaku, 8 gëzhoja pistolete, një plumb i papërdorur nga arma pistoletë, si dhe një shkop bejsbolli. Merren masa për zbardhjen e plotë të rastit”- thotë zëdhënësi I MPB, Toni Angelovski.
Detaje konkrete nuk kanë as nga Prokuroria Publike, një prokuror i të cilës ka bërë ekspertizën në vendngjarje sëbashku më një ekip të MPB-së. Megjithatë, shtojnë se shkaqet janë ende të panjohura.
Gazeta Meqedonase “Fokus”, jo zyrtarisht shkruan se grupet e përfshira në incidentin e mbrëmshëm, kanë qenë të afërt me zyrtarë të BDI-së nga Kumanova. Rastin e mbrëmshëm kjo media e krahason me një tjetër incident të dy viteve më parë, ku i vrarë kishte mbetur Xhemail Rexhepi i njohur si komandant Shqiponja. Të dyja rastet, jozyrtarisht, i lidhin me synimin për të drejtuar me degën e BDI-së në Kumanovë.
Pak minuta pas incidentit BDI-ja doli me kumtesë përmes të cilës distancohej nga ky rast, pa shprehur askund ngushëllime për familjarët e viktimës.
“Bashkimi Demokratik për Integrim edhe sot, sikurse edhe çdo ditë tjetër, ka vazhduar me aktivitetet e saja të zakonshme. Përgënjeshtrojmë çdo informacion lidhur me atë se sot në Bashkimin Demokratik për Integrim ka pasur përleshje apo incident. Ne si subjekt politik nuk kemi dhe nuk mund të kemi përgjegjësi për incidentet eventuale që nuk kanë të bëjnë me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe për Bashkimin Demokratik për Integrim”- thuhet në reagimin e BDI-së.
Pas incidentit të mbrëmshëm, drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, tha për Almakos se në këtë spital janë dërguar tre të plagosur, prej të cilëve për njërin, Naip Rexhepin 46 vjeç nga fshati Bellanoc i Komunës së Likovës, mjeku përgjegjës ka konstatuar se nuk ka pasur shenja jete. Njëri është lëshuar për kurim shtepiak, ndërsa i treti është nisur më ambulancë për në qendrën Klinike në Shkup, sepse ka pasur plagë më serioze.
Nga qendra Klinike në Shkup, për pacientin që kanë pranuar mbrëmë thonë se pas ekzaminimeve të nevojshme është konstatuar lëndim i enëve të gjakut, të sqetullës së majtë dhe se plagët janë trajtuar me ndërhyrje kirurgjikale. Pas ndërhyrjes, gjendja e pacientit është stabile.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Almakos.com