Prej sot Aneta Simeska-Dimovska nuk është më drejtoreshë e Inspektoratit shtetëror të Tregut, përcjell TV21. Vendimin e këtillë e solli dje në mbrëmje Qeveria pa dhënë arsyetim për shkarkimin e saj. Simeska Dimovska, deri të premten dilte me deklarata për mediat në lidhje me kontrollin e çmimeve të larta të produkteve bazë, ndërsa dje u shkarkua nga Qeveria dhe në vendin e saj e emëroi Goran Trajkovskin.
Periudhën e fundit kishte presion nga opinioni publik për uljen e çmimeve në pakicë, sidomos pas uljes së çmimeve të derivateve dhe energjisë elektrike për kompanitë e gastronomisë. Ministria e ekonomisë në krye me Kreshnik Bekteshi shpeshherë në mënyrë indirekte topin ia hodhi inspektoratit të tregut.